Zëdhënësi i PDK-së i reagon Presidentes që po hesht për Kodin Civil dhe martesat e gjinisë së njëjtë

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, i ka kërkuar një qëndrim presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në lidhje me Kodin e ri Civil dhe specifikisht për dispozitën përmes së cilës i hapet rruga martesave të gjinisë së njëjtë.

Për Osmanin, e cila s’është prononcuar deri më tani për këtë çështje, Abdullahu tha se e ka për detyrë të krijojë kushte për të determinuar unitetin.

“Heshtja në politikë nuk është flori, sidomos kur ajo zgjedhet si e tillë, për shkak të kalkulimeve për përfitime momentale, personale apo elektorale. Presidentja z. Osmani ka përzgjedhur të heshtë për një temë që është shumë e rëndësishme siç është ‘Kodi Civil’ apo thënë më saktë, për çështjet që tani më janë bërë kontestuese përbrenda tij”.

Zëdhënësi i PDK-së tha se është lehtë të kesh me plot qëndrime dhe të jesh e ashpër në kërkesa e kritika, kur je në opozitë, por se ndryshon puna kur je në qeveri apo presidencë.

“Nuk duhet të jetë kështu, sidomos për një Presidente, sot e heshtur në pushtet e dje shumë aktive në opozitë. Prandaj Presidente mos hesht. Detyra e juaj nuk është vetëm ta përfaqësoni unitetin e qytetarëve, por edhe të krijoni kushte për ta determinuar këtë unitet. Heshtja e juaj Presidente, thellon dhe deformon edhe më shumë përçarjet që siç duket nuk janë në kuadër të mendimit ndryshe dhe demokracisë liberale. Presidente deklarohu për ‘Kodin Civil’”, ka shkruar Osmani.

Dje në seancën e Kuvendit ka dështuar miratimit i Kodit të ri Civil.

Të ngjashme