Zëdhënësi i PDK-së: Rron Gjinovci nuk mundet t’i prijë protestës, njihet për gjuhën e tij të ulët

Prishtinë | 05 Pri 2021 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Pas protestës para Rektoratit të UP-së për shkarkimin e Ardian Kastratit, e cila u udhëhoq nga aktivisti Rron Gjinovci, ka reaguar zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyçi.

Ndonëse PDK-ja nuk është distancuar akoma nga gjuha e deputetit të tyre Ardian Kastrati, zëdhënësi i saj, Avni Bytyçi, nuk është pajtuar që protestës i ka prirë Rron Gjinovci.

Sipas tij, “Gjinovci njihet për gjuhën e tij të ulët në diskursin publik, për fyerjet e tij e për banalizmat”.

Reagimi i tij i plotë:

Rron Gjinofci njihet për gjuhën e tij të ulët në diskursin publik, për fyerjet e tij e për banalizmat. Ai as nuk mundet e as nuk duhet që t’i prij çfarëdo proteste lidhur me këto çështje, edhe kjo për shkaqe parimore. Rroni është sorrogat i Lëvizjes Vetëvendosje, si i tillë në studio dhe jashta saj ai i shërben interesave të ulëta të një partie politike. Kjo është edhe arsyeja se pse Rroni me grupin e tij asnjëhere nuk ka reaguar për linçimin publik që ju është bërë grave si Valdete Dakës apo Aida Dërgutit, e mos të marr shembull për gratë nga PDK-ja. Përkundrazi Rroni me shumë të tjerë mund të konsiderohen edhe nxitësit kryesorë ndaj gjuhës seksiste e denigruese që është përdorur kundër grave që nuk janë pjesë e partisë se tij.

Gjuha denigruese ndaj grave nuk duhet të tolerohet nga askush edhe ndaj askujt. Ndërsa instrumentalizimi i saj aq ma pak!

Ndryshe, Drejtuesi i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, Rron Gjinovci, paralajmëron se nëse deri të premten nuk merren masa do të fillojnë grevë e do të bllokojnë rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës është mbajtur protestë për shkarkimin e profesorit të këtij Universiteti, Ardian Kastrati. Protesta ka zgjatur pak e kjo ka ndodhur për shkak të situatës me pandeminë, kanë njoftuar organizatorët. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme