Zëdhënësi i PDK-së: Tregoni Kurtit që vërshimet kanë nisur para tri dite

Prishtinë | 13 Jan 2021 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, i ka reaguar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, duke i thënë se vërshimet kanë nisur para tri ditësh dhe se ai po e përdorë Nënën Ferdonije në kohë fushate.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Bytyçi ka thënë se Kurti në mungesë të platformës politike është duke u marrë me popullizma.

Bytyçi ka përmendur edhe vizitën e ushtrueses së detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanit në Bruksel, duke thënë se është bërë pa nevojë.

“Vetëm njoftone z. Kurti se vërshimet janë duke ndodhur që para tri ditëve edhe për vet faktin se po reagon me vonesë e po e përdorë Nënën Ferdonije në kohë fushate, tregon se Albini në mungesë të platformës politike është duke u marrë prapë me popullizma.

Edhe mos të harroj, U.D. e Presidentes që z. Kurti e ka vendosur në atë pozitë, ajo ka autoritet kushtetues për t’i mobilizuar institucionet, por, ajo ka vendosur që të udhëtojë në Bruksel fare pa nevojë”, ka shkruar Bytyçi.

Ndryshe, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka alarmuar për situatën në vend pas vërshimeve dhe përmbytjeve që u krijuan si pasojë e reshjeve të shiut.

Teksa ka përmendur vendet të cilat pësuan më së shumti nga përmbytjet, Kurti ka thënë se shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare.

Ai ka thënë se do të insitohet që Prokuroria të nis hetmet për ndërtuesit e rrugëve, inspektorët dhe politikanët që kanë marrë vendim për hapjen e tendervëve.

“Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.

Të ngjashme