Zëdhënësi i VV-së: Kjo qeveri, tashmë jo vetëm e kotë dhe e dëmshme, po del të jetë edhe deluzionale

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu ka shkruar se Qeveria Hoti po del të jetë deluzionale.

Hoti, i shkëputur plotësisht nga realiteti dhe i zhytur në mohim të plotë, thotë se  Kosova ka një kryeministër, i cili për procesin e Dialogut Kosovë-Serbi,  është duke koordinuar agjendën shtetërore me bartësit e institucioneve, ka shkruar Kryeziu.

Postimi i plotë:

Kjo qeveri, tashmë jo vetëm e kotë dhe e dëmshme, po del të jetë edhe deluzionale.

Z. Hoti, i shkëputur plotësisht nga realiteti dhe i zhytur në mohim të plotë, thotë se (1) Kosova ka një kryeministër, i cili për procesin e Dialogut Kosovë-Serbi, (2) është duke koordinuar agjendën shtetërore me bartësit e institucioneve, (3) me partnerët e koalicionit dhe (4) opozitën.

(1) Për cilin kryeminisitër e ka fjalën z. Hoti?

(2) Për cilën agjendë shtetërore e ka fjalën z. Hoti? Kosova po rifillon një proces tepër të rëndësishëm pa as edhe një agjendë të qartë e koordinim të brendshëm politik e ndërinstitucional. Kjo qeveri nuk ka një platformë për dialog të diskutuar e të mbështetur në kuvend, nuk ka parime të qarta dialoguese dhe as përgatitje, derisa i mungon edhe komunikimi më bazik me liderë institucionalë për tash e një muaj.

(3) Për cilët partnerë të koalicionit e ka fjalën z. Hoti? Ata të cilët gjatë ditës nuk përfillin ftesën për “forumin e liderëve”, në mungesë të të cilëve z. Hoti detyrohet ta riemërojë atë si “forum i partive politike”? Për të njejtit partnerë të koalicionit të cilët në mbrëmje dalin dhe e kritikojnë publikisht qasjen e tij ndaj dialogut si dhe për mungesë te konsultimit dhe koordinimit me ta?

(4) Për cilën opozitë e ka fjalën z. Hoti? Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron këtë qeveri jolegjitime dhe jolegale, ashtu sikurse e konsideron edhe çdo përpjekje të saj për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë proces.

Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë, pa legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve. Prandaj, kjo qeveri duhet të shkojë sa më parë.

Të ngjashme