Zeka: Gjykata Speciale është bërë për Thaçin

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 00:03 | Nga

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ka thënë që Gjykata Speciale është formuar pikërisht për ta akuzuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Në një bisedë në televizionin T7, Zeka ka thënë që shteti i Kosovës është i privatizuar nga Thaçi, i cili kontrollon çdo nivel të qeverisjes në vend dhe kështu ka tentuar edhe të shfuqizojë Specialen dhe ka shkelur ligjin duke dëbuar në Turqi gjashtë turq të kërkuar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan.

Zeka ka thënë që Thaçi e ka mbështetur themelimin e Speciales pasi i ishte premtuar që ai nuk do të akuzohet, por me fitoren e Trumpit llogaritë kanë ndryshuar.

“Thaçi ka bërë grusht-shtet kur ka përdorur deputetët e PDK-së për të tentuar shfuqizimin e Speciales, pasi ai e dinte që nuk mund të shfuqizohet pasi bëhet shkelje e Kushtetutës”, tha Zeka, duke u shprehur sërish i bindur që Thaçi do të akuzohet nga Gjykata Speciale.

“Thaçi ka thënë nganjëherë që nuk ka qenë në vijat e frontit gjatë luftës. As Slobodan Milosheviqi nuk ka qenë në front. Thaçi ka qenë drejtor i UÇK-së dhe Dick Marty e ka ngritur tërë aktakuzën duke drejtuar shigjetat drejt Thaçit”, tha Zeka.

Ai akuzoi njerëzit e Vetëvendosjes duke thënë që ata presin me padurim që BE të mos liberalizojë vizat vetëm e vetëm që t’u thonë njerëzve që pushteti ka gënjyer kur u është thënë që demarkacioni sjell liberalizimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme