Zeka s’pranon askënd në parti pa verifikimin e së kaluarës, s’ka vija të kuqe me partitë tjera

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 07:58 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kosovë së shpejti do të fillojë së funksionuari edhe një subjekt tjetër politik i kryesuar nga deputeti aktual i NISMA-s, Milaim Zeka.

Zeka në bashkëpunim me mërgimtarët në ShBA kanë vendosur që subjektin më të ri ta quajnë, Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK) ku programi i kësaj partie do të prezantohet më 29 qershor.

Zeka i tha Ekonomia Online se deri më tani ka pasur shumë kërkesa nga njerëz të ndryshëm që kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin t’i bashkohen në këtë nismë.

Por ai thptë se njerëz të cilët kanë të kaluar kriminale nuk do të kenë vend në partinë e tij. Madje sipas tij, me ndihmën e Policisë së Kosovës, e cila ka hetuar për ta, iu është refuzuar këresa që disa prej tyre të jenë pjesë e PEK-ut.

“Kam qenë në kontakt dhe në vizitë te drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kam kërkuar që të verifikoj të kaluarën kriminale të çdo anëtari i cili do të jetë në listën e deputetëve të ardhshëm për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sa i përket pjesa e mërgatës që do të jetë në listë atyre ua bëj verifikimin vetë përmes ambasadave të huaja, e kam një privilegj duke qenë nënshtetas i Bashkimit Evropian kam shumë mundësi me e bërë verifikimin pa asnjë problem të çdo mërgimtari i cili do konkurroj për deputet të Republikës së Kosovës”, tha Zeka.

Ai tha se pranon të ketë bashkëpunim edhe me LDK-në, por që Isa Mustafa të mos jetë kryetar. Vija të kuqe nuk ka as për VV-në e AAK-në.

“Unë nuk kam botëkuptime ballkanike në politikë, nuk vendos vija të kuqe me të gjitha partitë siç po vendosin këta, pastaj një natë para dorëzimit të listave me deputetë shkojnë edhe bëjnë koalicion i tradhtojnë votuesit e tyre. Unë pas zgjedhjeve mund të bashkëpunoj me disa parti politike, mund të bashkëpunojë edhe me LDK-në, por me një kusht, që Isa Mustafa të mos jetë kryetar. Por nuk kam asnjë barrierë të bashkëpunimit me AAK-në, me VV-në me këto dy parti do të bashkëpunoja”, thotë Zeka për EO.

“Në politikë nuk flitet me vija të kuqe sepse pastaj keni me më thënë pas zgjedhjes Se si ke rrejt, këta nuk e kanë dert, nuk e ka dert Isa Mustafa pse ka thënë ka vra ShIK-u e ka bërë koalicion me Kadri Veselin, nuk e ka dert PDK-ja se kanë thënë Ramush Haradinajt ti je njeriu i haraçit, i plaçkës e janë shku prapë në koalicion, nuk e ka problem pse Fatmir Limaj i ka thënë publikisht Hashim Thaçit se ti ma ke përgatit aktakuzën e më ke dërgu në burg e prapë me bërë koalicion, unë nuk i them ato gjëra sepse në politikë ka shumë gjëra të mundshme, por tek unë ka vija të kuqe për principe dhe për parime”, tha ai.

Zeka tha se në rast se partia e tij do të vij në pushtet, të privilegjuar do të jenë edhe gazetarët për të cilët do të ketë shërbime më të mira.

Ndërsa ai ka paraparë që ndërtesën e ish-Rilindjes ta shndërroj në Pallat të Medieve.

“Për ju gazetarët kam një premtim në qoftë se unë vij në pushtet, punën e parë që do bëj do krijoj një PressClub për gjithë gazetarët në Prishtinë ku do të keni gazetat, televizionet, me kartelë do paguani 20 cent një kafe sikur është në gjithë botën e qytetëruar dhe e kam një premtim absolut që pallatin e medieve ish-Rilindjen do ta shndërroj në Pallat të Medieve ku do vendosen televizionet, radiot, njëherit edhe ndërtesën e Radio Kosovës në mënyrë automatike do ta shndërroj si ndërtesë të Radio Televizionit Publik të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se me ardhjen e partisë në krye që është ai nuk do të ketë keqpërdorim të parasë publike siç pretendon se po bëhet tani. Zeka shtoi se zyrtarët e lartë publik nuk do të kenë edhe vetura zyrtare, raporton EO.

“Kurrë hajni më të madhe nuk i është bërë parasë publike se sa është duke u bërë nga gjitha qeveritë e pasluftës”, shtoi ai.

Të ngjashme