Zemaj dhe Abbott diskutojnë për Covid-19

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj priti sot në takim Ambasadorin Britanik në Kosovë Nicholas Abbott, i cili ishte i shoqëruar nga Sam Paice, Udhëheqës i Departamentit politik.

Në këtë takim, Ministri Zemaj ka falënderuar Ambasadorin Abbott për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën si në rrafshin politik ashtu edhe për sistemin shëndetësor.

Fokus i diskutimeve ka qene menaxhimi i pandemisë Covid-19 në Kosovë dhe nevoja që masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës të respektohen nga qytetarët në funksion të ruajtjes së shëndetit publik.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të MSH-së:

Ministri Zemaj tha se MSh ka mobilizuar kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturën shëndetësore për një përgjigje sa më adekuate ndaj Covid-19 në këtë fazë të lirimit të masave, derisa ka theksuar që vendimet për lirimit e tjera eventuale do të merren bazuar në rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sipas situatës epidemiologjike në terren.

Ai e ka siguruar Ambasadorin Abbott se sistemi shëndetësor në Kosovë është vënë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të secilit qytetar të vendit, ndërkohë që është vlerësuar edhe asistenca ndërkombëtarë për Kosovën në menaxhimin e Covid-19.

Ministri Zemaj e ka njoftuar Ambasadorin edhe me prioritetet e programit për shëndetësinë.

Ambasadori Abbott ka inkurajuar MSh në zbatimin e masave të ndërmarra dhe ka theksuar nevojën që mesazhet për qytetarët të jenë shumë të drejtpërdrejta dhe ta kuptojnë që esenca e një reagimi të përgjegjshëm në këtë kohë nënkupton bartjen e maskave, ruajtjen e distancës fizike, higjienës së lartë dhe zbatimit të gjitha masave të ndërmarra.

Të ngjashme