Zemaj: LAA nuk e voton Haradinajn për kryeministër

Prishtinë | 13 Kor 2017 | 19:55 | Nga

Ka disa ditë që rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Por, edhe pse rezultatet janë bërë publike, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ende nuk i ka ftuar deputetët për seancën konstituive.

Brenda koalicionit fitues PAN po qarkullojnë zëra se seanca do mbahet brenda javës së ardhshme por publikisht nuk ka asgjë zyrtare.

Madje, PAN vazhdimisht po pohon se i ka numrat për formimin e qeverisë, kurdo që presidenti vendosë të ua jap atyre mandatin për formimin e institucioneve.

Por, një gjë të tillë e mohon koalicioni kundërshtar LAA. Sipas tyre vonimi i thirrjes së seancës nga presidenti është argument që PAN nuk i ka votat e mjaftueshme për formim të qeverisë.

Indeksonline ka kontaktuar Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për tu informuar nëse janë të vërteta informatat që po i lëshon PAN, se deputetët e LAA-së do e bëjnë Ramush Haradinajn kryeministër.

Zemaj nuk kishte ndonjë koment për këto gjëra , që ai i quajti “spekulime”. Sipas tij, të gjitha këto janë hipotetike dhe se askush nuk mund të dijë çfarë do të ndodhë, por beson në deputetët e partisë që ai i takon se do i qëndrojnë besnik vetëm kandidatit të tyre për kryeministër.

“Të gjitha këto janë spekulime dhe hipotetike. As unë as askush nuk mund ta dijë se çfarë do të ndodhë deri minutën kur do të votohet. Por ne nuk besojmë se dikush nga partia jonë do e votojë kandidatin e PAN-it për kryeministër”, tha Zemaj.

Koalicioni fitues i zgjedhjeve, PAN, qysh pas rezultateve preliminare kanë thënë se ditën kur Haradinaj do të votohet për kryeministër, do të ketë së paku 64 vota pro tij, edhe pse PAN së bashku me minoritete përbëjnë vetëm 59 vota së bashku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme