Zemaj: Rezoluta është tërheqje e vërejtjes ndaj Serbisë

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 18:06 | Nga

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se rezoluta e legjislativit që kërkon lirimin e nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, është tërheqje e vërejtjes ndaj Serbisë.

Ai ka deklaruar se deputetët janë të vendosur për të mbrojtur pavarësinë, kushtetutshmërinë dhe qytetarët e vendit.

“Kuvendi ka përdorur kompetencën e tij në këtë rast Kjo rezolutë është tërheqje e vërejtjes ndaj Serbisë që vepron në këtë mënyrë vazhdimisht – veprime që mund të çojnë në prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha Zemaj në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Ne kemi dy letra që nga ministritë e vendit i janë dërguar zyrave ndërkombëtare dhe të gjitha komunikimet në këtë rast do të bëhen përmes zyrës së përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Në këtë drejtim përcaktimi ynë është i qartë: ne mbrojmë pavarësinë e Kosovës, kushtetutshmërinë dhe qytetarët e vendit”, tha ai.

Ndërsa sa i përket letrave të Presidentit Hashim Thaçi, dërguar prokurorisë së shtetit, Zemaj ka thënë se duhet punuar pa u lodhur në zbardhjen e krimeve të luftës dhe pasluftës.

“Thirrja jonë për drejtësi për të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë gjatë dhe pas luftës është e vazhdueshme. Është kërkesë edhe e familjarëve, por edhe e njerëzve të vullnetit të mirë që këto krime të zbardhen. Ne duhet të besojmë, të punojmë dhe të angazhohemi, për të pasur lëvizje pozitive që të gjithë ata që kanë kryer krime ta marrin dënimin e merituar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme