Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministrja Haxhiu pritën në takim anëtarët e Komisionit të Venecias

Prishtinë | 19 Maj 2022 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Delegacioni i Komisionit të Venecias i përbërë nga raportuesja Grainne McMorrow dhe përfaqësuesi i sekretariatit të KV-së Schnutz Dürr, u pritën në takim nga Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim që të diskutohen draft Amendamentet Kushtetuese për çështjen e Vetingut dhe draft Opinioni i Komisionit të Venecias mbi këto amendamente si dhe koncept dokumentin e Vetingut si tërësi.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe grupi i hartuesve të dokumenteve, njoftuan raportuesen Mc Morrow me punën e deri tanishme të grupit punues në hartimin e Amendamenteve Kushtetuese sipas modaliteteve dhe rekomandimeve të përshkruara në draftin e Opinionit të Komisionit të Venecias. Gjithashtu raportuesja u njoftua edhe me procesin e hartimit të Ligjit për Vlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku ministrja Haxhiu premtojë se, sapo të jetë gati dhe i përkthyer, drafti i ligjit do të dërgohet para Komisionit për vlerësim.

Ndër të tjera, ministrja Haxhiu përmendi edhe nevojën për Veting si një kërkesë shoqërore për Kosovën, ekzistimin e korrupsionit të përhapur në gjithë sistemin (të konstatuar edhe në draft opinion), ndryshimet ligjore të vazhdueshme por pa rezultate konkrete dhe mos funksionimin e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies për gjyqtar dhe prokurorë.

Në fund Zëvendëskryeministri dhe Ministrja falënderuan Komisionin e Venecias për punën e vazhdueshme që është duke e bërë në rastet që po i dërgon Kosova për Opinion dhe këshillat e vlefshme që po merr nga përvoja shumë vjeçare e Komisionit të Venecias në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Të ngjashme