Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, Karl Wilfing

Prishtinë | 27 Sht 2022 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, Karl Wilfing, shoqëruar nga nënkryetari i parë, Karl Moser, deputetët Rene Pfister e Dieter Dorner, zëdhënësi Christoph Fuchs, Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe zëvendës ambasadori Martin Schaller.


Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi prioritetet e Qeverisë në agjendën ambicioze të këtij viti në integrimin evropian. Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova synon të aplikojë për anëtarësim në BE brenda këtij viti.


Çështje tjetër me rëndësi ishte dhe tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku u theksua nevoja për përfundimin e këtij procesi dhe pritjes së gjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës.


Gjithashtu, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi z. Wilfing dhe delegacionin për avancimet që ka bërë Kosova në zhvillim ekonomik, sundimin e ligjit, demokratizimin, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.


Përballimi i sfidave të përbashkëta, siç është aktualisht kriza energjetike dhe inflacioni ishin tema të tjera të diskutimit.


Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi delegacionin për vizitën duke theksuar partneritetin e ngushtë me shtetin e Austrisë dhe gatishmërinë e plotë për avancimin e bashkëpunimit mes nesh.

Të ngjashme