Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim Ministrin e Zyrës së Kabinetit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Michael Ellis

Prishtinë | 09 Pri 2022 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Ministri i Zyrës së Kabinetit i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Michael Ellis u prit në takim nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.

Në takim u diskutua mbi potencialin zhvillimor të Kosovës. Ministri Ellis u shpreh se mosha mesatare e re e popullsisë në Kosovë është indikator i jetëgjatësisë dhe vazhdimësisë së progresit të arritur deri më tani. Ministri Ellis tha se sundimi i ligjit duhet të bazohet në një sistem të drejtësisë me integritet dhe profesionalizëm, si dhe u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në nismat e ndërmarra me qëllim të funksionimit dhe zbatimit të ligjit.

Zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi maksimalisht angazhimin dhe ndihmën e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar. Partneriteti i veçantë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar forcohet dita ditës dhe sjellë bashkëpunim solid në fusha e sfera të ndryshme. Rritja ekonomike për vitin 2021 me 10.5%, si dhe avancimi me 17 vende në indeksin e Transparency International në luftën antikorrupsion, duke qenë të parët në rajon, janë tregues të progresit të Kosovës.

Gjithashtu, e informoi ministrin rreth zhvillimeve në sistemin e drejtësisë, energjisë, si dhe punëve e projekteve konkrete. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ministrin Ellis për vizitën dhe afirmoi komunikimin e vazhdueshëm për bashkëpunimin e frytshëm mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Të ngjashme