Zëvendësshefi i BE-së thotë se taksa është e papranueshme, jep kritika për mosfunksionimin e Kuvendit

Prishtinë | 18 Kor 2019 | 12:11 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, ka diskutuar me Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2019, raporton Ekonomia Online.

Serri ka theksuar se problemi më i madh që është paraqitur në raport është mosfunksionimi i Kuvendit, mungesa e kuorumit dhe vonesat e seancave dhe sipas tij kjo ndikon negativisht në produktivitetin e Kuvendit.

“Qëllimi i raportit është të tregojmë përparim të procesit të zgjerimit të legjilacionit, radhitjes kur kemi të bëjmë me administratën me gjitha zhvillimet që po ndodhin në Kosovë. Marrëveshja IPA 2018 që komisioni juaj e ka miratuar është akt themelor që lejon financimin tonë të shpenzohet në të ardhmen dhe është proces i rëndësishëm dhe shpresojmë se miratimi e plotë do ta kemi në seanca plenare”, tha ai.

“…Do ta vlerësoja Kuvendin që ka kaluar nëpër punë, raporti mbulon periudhën deri në mars gati 1 vit dhe gjatë këtij viti keni prodhuar shumë ligje, ka situatë të polarizuar në Kuvend ka çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e Kuvendit, shpesh ka mungesë kuorumi, mungesa në votim të legjislacionit, mungesë e organizimit struktural kur ka të bëj me thirrje të seancave, Kuvendi nuk takohet për kohë të gjatë këto kanë ndikim në produktivitetin e Kuvendit”, tha Serri.

Serri tha se Kosova duhet tw krenohet me shoqërinë civile që ka e cila është jashtëzakonisht shumë aktive.

“Roli i shoqërisë civile vërehet në Kosovë, është aktive, roli që luan shoqëria civile është i rëndësishëm dhe kjo i ndikon në peizazhin e Kosovës kur ka liri të shprehjes dhe është pozitive dhe në krahasim me rajonin Kosova për këtë duhet të krenohet”, shtoi Serri.

Serri tha se në raport, BE-ja ka theksuar edhe njëherë se është kundër taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

“Ky ishte vendim qw Qeveria ka marrw, jemi kritik për këtë. BE-ja jemi kundër kësaj sepse minon përpjekjen e natyrës së përgjithshme për bashkëpunimin rajonal nuk është e qëndrueshme dhe është raportuar në raport. Ka problem me financa publike sepse ka një efekt të kundër në zhvillimin e vendit se si financat menaxhohen nganjëherë dhe kjo ka rrezik për bilancin e buxhetit të vendit edhe rritja e pagës në sektorin publik, ka ndikim në sektorin privat”, tha ai, raporton EO.

Kryesuesja e Komisionit, Blerta Deliu, tha se pret që së shpejti ky dokument të trajtohet në seancë plenare pa shkuar në pushime verore.

“Kemi rekomanduar që i njëjti dokument të trajtohet në seancë plenare sepse është u rëndësishëm për vendin dhe do adresojmë sfidat që kanë dhe progresi që është bërë”, tha Deliu.

Deputeti i LDK-sw, Ismet Beqiri, tha se për mosfunksionimin e Kuvendit vetë deputetet e kanë fajin dhe duhen të jenë vetëkritik.

“Raporti është korrekt edhe pse mund të mos na pëlqej sepse nuk po e bëjmë punën mirë, duhet të jemi vetëkritik, është bërë regres i vazhdueshëm çështja e mosfunksionimit të institucioneve tona që është e meta kryesore”, tha ai.

Deputeti Milaim Zeka kërkoi nga BE-ja të ndihmoj Kosovën në sundimin e ligjit, pasi që sipas tij prokurorët dhe gjyqtarët tanë nuk mund ta bëjnë këtë.

“Aktakuzat në Kosovë, 90% janë aktakuza politike tek ne nuk bëhen në bazë të fakteve, por në bazë të thirrjeve telefonike që i bëjnë dhe për këtë pres nga BE-ja të investoni shumë në sundim të ligjit, përmes ekspertëve nga BE dhe që punojnë në institucionet e Kosovës dhe të inkurajohen djemtë e vajzat që kanë përfunduar studimet në vendet e BE-së që ata të inkurajohen për të ardhur dhe të punojnë në organet e drejtësisë në Kosovë”, tha ai.

“…Më vjen turp që jam pjesë e këtij parlamenti sepse nuk e meriton të quhet kështu sepse nuk funksionon si i tillë dhe nuk ndodh askund që kryetari i Kuvendit të jetë edhe kryetar partie dhe parlamenti është komplet jofunksional, Kosova sipas bindjes time qytetarët nuk kanë parlament ne aty votojmë vetëm formalisht”, tha Zeka.

Deputetja e AAK-sw, Donika Kadaj-Bujupi, tha se Kosova nuk po trajtohet barabartë nga BE-ja në raport me vendet tjera.

“Nuk do jetë lehtësuese nëse ne trajtohemi si të pabarabartë, e trajtimi i Kosovës vazhdon të jetë ndryshe nga vendet e rajonit, e dimë luftën e Kosovës që Serbia po bën ndaj Kosovës dhe taksën nuk e shohim për të arritur marrëveshjen përfundimtare sepse nga Serbia nuk ka vullnet, por është mekanizëm që besojmë se është mundësi për të u shfrytëzuar nga të gjithë edhe nga Serbia të kemi marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke dhe për të filluar bashkëpunimin në mes vetë për bashkëpunim pa barriera”, tha Kadaj-Bujupi, raporton EO.

Serri ka folur për projektin për deponinë e mbetjeve të rrezikshme dhe sallën koncertale që kanë dështuar për shkak të mos vendosjes së vendit adekuat nga pushteti lokal dhe për këtë arsye 12 milionë fondet e BE-së janë shpenzuar për projekte tjera, por ai siguroi që këto dy projekte do të realizohen.

“Deponimi i mbetjeve të rrezikshme është rast që paratë nuk mund të shpenzoheshin dhe projekti u pezullua. Për sallën koncertale paratë që janë caktuar për atë projekt tani janë shpenzuar në projekt tjetër të rëndësishëm sepse Kosova ka planifikuar të kthehemi në projektin e Sallës Koncertale”, tha Serri.

“BE-ja do të investoj në Kosovë rreth 100 milionë euro, Kosova pritet të jetë pranuesi më i madh për kokë banori”, shtoi Serri.

Të ngjashme