Zgjedhja e presidentit përcaktuese për jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës

Prishtinë | 26 Sht 2020 | 07:51 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni qeverisës LDK-AAK dhe Nisma po konsiderohet i brishtë, dhe jetëgjatësia e tij do të varet nga zgjedhja e presidentit, kështu vlerësojnë analistët politik në vend.

Sipas tyre këtë koalicion dëshirojnë ta rrëzojnë edhe aktorët tjerë politik.

Koalicioni LDK-AAK e Nisma, që një kohë përballet me një jostabilitet. Zyrtarë të AAK e Nismës, kishin filluar të shfaqnin pakënaqësi me kryeministrin Hoti, që kur ky e kishte emëruar Skender Hysenin koordinator për dialogun me Serbinë.

Po, ashtu edhe marrëveshja në Washington, ishte afër t’i ndajë partnerët qeverisës.

Analisti, Arton Demhasaj në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se qëndrueshmëria e koalicionit varet nga pozita e presidentit.

Mirëpo, sipas tij në rast se LDK-ja pajtohet me kandidaturën e AAK-së, për president atëherë koalicioni duhet të fillojë lobimin për të siguruar edhe votat e partive opozitare.

“Qëndrueshmëria e koalicionit qeverisës varet krejt të pozita e presidentit, ky koalicion së shpejti ka me u ballafaquar me procedurën e zgjedhjes së presidentit,  e që në atë procedurë përpos që duhet të ketë një harmonizim të qëndrimeve brenda koalicionit aktual ka me pas nevojë me bindë edhe njërën nga partitë opozitare, si VV apo PDK për me qenë të pranishëm në seancë kur fillon procedura e zgjedhjes së presidentit për me krijuar kuorumin prej 80 deputetë. Në rast se LDK-ja ka me u pajtua me kandidaturën e AAK-së, për president atëherë koalicioni mund të jetë unik dhe më pas të zhvillohet lobimi për ti siguruar edhe votat e partive opozitare”.

Politologu Ramush Tahiri, koalicionin qeverisës po e sheh si të brishtë dhe jo jetëgjatë. Madje ai thotë se të gjithë akterët politik dëshirojnë ta rrëzojnë qeverinë dhe të shkohet në zgjedhje.

“Koalicioni është i brishtë, unë nuk e pres  që ky koalicion ta qojë mandatin deri në fund, por deri te zgjedhja e presidentit, dhe shihet që ky koalicion do të rrëzohet dhe gjithë akterët dëshirojnë ta rrëzojnë këtë koalicion dhe të shkojnë në zgjedhje për arsye të ndryshme”.

Tahiri më tutje shprehet, se edhe kandidatura e Ramush Haradinaj nuk është e fer kundrejt Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Përkundrazi kemi kërkesa që të bëhet dikush president nga ky koalicion aktual dhe që të vazhdohet kjo lloj qeverisje. Me u zgjedh president Ramush Haradinajn, një partie që i ka 11 ose 10 deputetë edhe vetëm nga fakti se e ka nxënë ngushtë LDK-në, atëherë nuk është parimore dhe nuk është e drejtë”.

Tahiri ka komentuar edhe iniciativën e kyeparlamentarës Vjosa Osmani. Nga përvojat e deritashme ai  nuk pret ndonjë sukses nga kjo iniciativë.

Ai thotë se kryeparalemntarja duhet të ketë një koncept politik dhe të merr votues nga të gjitha partitë politike në vend.               

“Nga përvojat e deritashme nuk pres ndonjë sukses, jo për shkak vetë Vjosa Osmanit, por edhe për shkak përvojës nga LDK-ja. Kemi pasur deputetë që kanë lëvizur, por LDK-ja është fakt që më së shumti është dëmtuar me ndarjen e Nexhat Dacit. Me Vjosa Osmanin mund ta shoh që mund të tërhiqet një koncept, por nuk mund të tërhiqen shumë deputetë, por te Vjosa Osmani nuk po shoh një koncept të qartë politik, ajo është më afër Vetëvendosjes por nuk shkon te VV-ja, filozofia e saj politike duhet të shihet, dhe nuk besoj që ajo e ka synim ti merr elektoratin LDK-së, dhe ta bëjë një fraksion, por ajo si një lidere duhet të pretendojë ta ketë një koncept të ri dhe të merr votues nga të gjitha partitë politike”.

Për formimin e një lëvizje të re politike nga Vjosa Osmani, Artan Demhasaj thotë se  në rast se Osmani arrin të mbledhë rreth vetes figura politike që kanë kredenciale morale, mund të konsiderohet një parti e suksesshme. Por, ai më tepër e sheh si një iniciativë që do të lëviz nga krahu i VV-së.

“Suksesin e një partie apo një iniciative çfarëdo qoftë ajo nga ana e Osmanit, në rast se ajo arrin me mbledhë rreth vetes figura politike që kanë kredenciale të mira morale dhe politike mendoj që mundet me u konsiderua si një iniciativë apo parti që mundet me qenë e suksesshme, mirëpo kjo krejt varet nga njerëzit që ka me arrit me i bind dhe grumbulluar afër vetes, në rast se nuk arrin me e bë këtë gjë  atëherë mendoj kjo ka me qenë një iniciativë apo një parti që shumë shpejt mundet me qenë e dështuar”.

“Unë më tepër e shoh si iniciativë që ka me lëviz ka krahu i VV-së, që eventualisht kurdo që vendi shkon në zgjedhje atëherë ka me hyrë bashkë në një listë me VV-në dhe qëllimi kësaj mundet me qenë me rrit numrin e votave të një koalicioni të tillë dhe me dëmtuar LDK-në”, ka thënë ai.

Vjosa Osmani e cila është Kryetare e Kuvendit të Kosovës, tashmë ka ndarë rrugët me LDK-në, ndërsa ka thënë se do të formojë një lëvizje të re politike, me njërit që siç ka thënë ajo i kanë qëndruar afër dhe besnik.

Të ngjashme