Zgjedhje të reja avaz i vjetër – pak gra të zyrtarizuara në garën për komuna

Prishtinë | 14 Gus 2021 | 08:16 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Numri i vogël i përfaqësimit të grave në zgjedhjet lokale nga partitë politike po shihet si shumë shqetësuese nga ekspertët, të cilët thonë se ky është një lajm jo i mirë që ndikon negativisht në avancimin e pozitës së gruas në qeverisje lokale, raporton Ekonomia Online.

Jeton Mehmeti, hulumtues i lartë në Institutin GAP në një prononcim për Ekonomia Online tha se edhe pse akoma nuk janë zyrtarizuar të gjitha kandidaturat, numri i grave deri tani është shumë i vogël, duke theksuar tutje se vetëm 22% e pozitave udhëheqëse nëpër komuna udhëhiqen nga gratë.

“Kemi disa kandidatura që kemi parë edhe pse partitë politike ende nuk i kanë formalizuar kandidatët e tyre për qeverisje lokale. Nga ajo që shihet është numri i grave deri më tani shumë i vogël dhe kjo është një lajm jo i mirë në avancimin e pozitës së gruas në qeverisje lokale”.

“Studimet që kemi bërë ne më herët tregojnë që gratë në nivelin lokal jo vetëm më pak të punësuara por edhe më pak të përfaqësuara në pozita vendimmarrëse, nga rreth gjashtë mijë të punësuar në administratën komunale nëpër të gjitha komunat e Kosovës del se vetëm 1/3 e tyre janë gra, përderisa gjendja edhe më e keqe është në pozita udhëheqëse ku në bazë të dhënave vetëm 22% e pozitave udhëheqëse jo politike nëpër komuna udhëhiqen nga gratë dhe kjo është një përqindje shumë  e vogël, dhe mos avancimi i pozitave të grave si ai i të parit të komunës është një lajm jo i mirë”, tha Mehmeti.

Mes tjerash Mehmeti tha se përkundër faktit që ka përfaqësim të grave nëpër drejtori të komunave, kjo duhet të shkohet më tutje dhe t’u jepet hapësirë edhe në drejtim të komunave.

“Kohët e fundit kemi parë në njërën anë që kryetarët e komunave janë pak më të ndjeshëm në aspektin e ndarjes së pozitave sidomos në drejtori, nëse jo një përqindje të barabartë kemi parë një përfaqësim të grave që vihen në krye të drejtorive të ndryshme dhe ky është një lajm i mirë, por duhet të shkohet edhe më tutje dhe t’u jepet hapësirë kandidateve gra në krye të komunës”, theksoi tutje ai.

Si përfundim ai tha se partitë politike duhet të reflektojnë më tepër dhe që gara e brendshme të jetë e drejtë në mënyrë që të dyja palët të kenë të drejtat e barabarta.

“Partitë politike dhe elita politike duhet të reflektoj pak më tepër dhe aty ku vendoset për garën e brendshme që të nxjerrët kandidati potencial duhet të jetë garë fer mes njerëzve të interesuar dhe të ketë mundësi të barabarta që është i kualifikuar për një pozitë të tillë, dhe të mos dërgohet mesazhi që është një luftë e brendshme, dhe në këtë aspekt barra u bie edhe qendrave të partive politike”, përfundoi Mehmeti.

E në anën tjetër Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL” thotë se po vazhdon ai avazi i vjetër në kuadër të një përfaqësimi të denjë të grave në zgjedhjet lokale, duke shtuar se kjo nuk është në përpjesëtim me barazinë gjinore sipas ligjit.

“Deri tash nuk i kemi parë listat përfundimtare të secilës parti, por e kemi parë që ai avazi i vjetër është duke vazhduar ku nuk kemi parë ndonjë kandidate ende zyrtarisht por edhe nëse janë disa nuk është në përpjesëtim me barazinë gjinore sipas ligjit. Pra shumica e partive politike edhe në asamble është një numër jashtëzakonisht i vogël i grave që marrin pjesë por edhe numri i tyre jo domosdoshmërish janë përfaqësuese të denja në bazë të një agjende gjinore pasi partitë politike kanë shfrytëzuar gratë për një kërkesë zyrtare të përfshirjes së grave në këto lista, por në përmbajtje nuk shohim përfshirje në këtë proces me një kualitet më të madh”, tha Hoxha.

Hoxha tutje thotë se nuk pret për ndonjë ndryshim eventual nga partitë politike, kjo pasi tashmë secila parti ka promovuar kandidatët e tyre që akoma janë jozyrtarë,  prandaj edhe nominimi faktik është bërë shumë më herët.

“Unë dyshoj që ka me pasë ndryshime, kjo për arsye se shumica e kandidatëve të cilët janë kandidatë për kryetarë komunave është një procedurë paraprake të promovimit që secila parti e bën në komuna specifike, prandaj edhe nominimi faktik bëhet shumë më herët”

Edhe nëse ndonjë parti ka proklamuar ndonjë grua, kjo ka ardhur si pasojë e sigurisë së partive të mëdha që nuk do fitojë në atë komunë, për çka Hoxha thotë se është një qasje e gabuar.

“Nuk e shohim që ndonjë parti ka proklamuar ndonjë grua që të jetë kandidate për kryetare të komunës, dhe nuk mendoj që ndonjë prej partive mund të vendos ndonjë kandidate grua, edhe pse gjasat janë që në ato komuna ku partitë e mëdha e dinë të sigurt që nuk do të fitojnë munden teknikisht të vendosin ndonjë grua e që nuk është aspak e mirë”, përfundoi ai.

Të ngjashme