Zgjedhjet e parakohshme, e vetmja alternativë kushtetuese

Prishtinë | 16 Gus 2019 | 08:00 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi ka shterur mundësinë për caktimin e një mandatari tjetër për ta formuar Qeverinë, ka thënë të enjten Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Në interpretimin e tij, zgjedhjet e parakohshme tani janë e vetmja alternativë kushtetuese.

Mbështetur në këtë interpretim, kreut të shtetit i mbetet vetëm ta shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme, pas shpërndarjes së Kuvendit, shkruan Koha Ditore.

“Presidenti as nuk mund të zhvillojë konsulta me partitë e tjera parlamentare e as nuk mund t’i drejtohet sërish koalicionit që të japë emrin e mandatarit. Kjo është kështu për shkak të natyrës së funksionit të shefit të shtetit në një demokraci kushtetuese parlamentare, siç është Kosova. Në këto lloje të demokracive kushtetuese, shefi i shtetit (president republike ose monark) nuk ka pushtete ekzekutive aktive: pushtetet e tij, të përkthyera si kompetenca, janë tërësisht neutrale dhe balancuese të tri pushteteve të tjera”, i ka thënë gazetës Hasani. “Kjo nënkupton se shefi i shtetit nuk mund të involvohet në procese politike, siç është rasti i formimit të Ekzekutivit, duke bërë vlerësime personale për raportin e forcave politike në vend”.

Sipas tij, shefi i shtetit, në këtë kuptim, ka rol pasiv dhe vetëm i përmbahet raportit të forcave që kanë lindur në zgjedhjet e fundit nacionale, gjë që vërtetohet me certifikatën e KQZ-së, dhe jo me vlerësimin politik të presidentit se kush është fitues e kush humbës. Hasani ka thënë se kjo nënkupton që në momentin që koalicioni fitues ka thënë se nuk ka mandatar, atëherë shefi i shtetit vetëm duhet të pajtohet me këtë konstatim dhe të ndalon nga ndërmarrja e çdo hapi tjetër, pasi ka theksuar se ai hap apo ata hapa u takojnë partive politike, të cilat nuk kanë zgjidhje tjetër kushtetuese pos të vetëshpërndajnë organin përfaqësues dhe ligjvënës – Kuvendin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme