Zgjedhjet në Veri: Vetëm një parti ka dorëzuar kërkesë në KQZ për certifikim, nesër përfundon afati

Prishtinë | 20 Nën 2022 | 07:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetarët e katër komunave veriore dhanë dorëheqje dy javë më parë. Për shkak të kësaj, tashmë presidentja Osmani ka përmendur një datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa KQZ ka nisur përgatitjet.

Më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit.

Për t’u certifikuar partitë politike afati është hapur më 18 nëntor dhe i njëjti do të mbyllet nesër në orën 16:00.

Deri më tash kërkesën për t’u certifikuar në KQZ e ka paraqitur vetëm një subjekt politike.

Kështu tha të premten zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Deri më sot, në orën 16:00, pra e premte 18 nëntor, KQZ-ja ka pranuar 1 kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Kjo kërkesë është paraqitur në emër të subjektit politik Iniciativa Qytetare Mitrovica. Pra, ky subjekt politik ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje vetëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha ai.

Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, derisa u është bërë thirrje edhe qytetarëve serbë të mos dalin për të votuar.

Mirëpo, ligjshmëria e zgjedhjeve varet edhe nga pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhje, ndonëse me ligj nuk është e paraparë.

Valmir Elezi nga KQZ javën e kaluar tha se nuk kufizohet se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje në një komunë në mënyrë që rezultati të mund të certifikohet nga KQZ-ja.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje në një komunë në mënyrë që rezultati të mund të certifikohet nga KQZ-ja”, tha ai të mërkurën.

Nëse qytetarët serbë vendosin të mos e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë, ekziston rreziku që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mos pranohen nga partnerët ndërkombëtarë.

Kështu tha për Express, juristi Ehat Miftaraj, i cili përmendi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për kalimin e mandatit nga Ardijana Hodzic te Duda Balje. Duke u mbështetur në këtë rast, juristi thotë se nëse serbët nuk dalin në zgjedhje, atëherë kontestohet legjitimiteti i zgjedhjeve në veri.

“Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet nacionale, ku ka vendos në bazë të ankesave të partive të komuniteteve jo shumicë, që iu ka marr mandati Adriana Hoxhiq dhe i është dhënë mandati partive boshnjake, lë për të nënkuptuar që në mënyrë që zgjedhjet në veri të kenë legjitimitet dhe të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve të pjesës veriore në Kosovë, atëherë mungesa ose mospjesëmarrja e qytetarëve serbë në votime në një far mënyre e konteston legjitimitetin e zgjedhjeve në veri. Në bazë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese vullneti i qytetarëve duhet të shprehet përmes votës në mënyrë që institucionet të kenë legjitimitet dhe të përfaqësojnë interesat e të njëjtëve”, tha Miftaraj.

Të ngjashme