Zhbërja e Speciales është e pamundur edhe pas mandatit pesë vjeçar

Prishtinë | 05 Kor 2020 | 08:19 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në dhjetor të vitit 2017 me propozim të OVL të UÇK-së, u tentua të merrje miratimi i deputetëve që të zhbëhej Gjykata Speciale. Por, ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve ajo që parandaloi një gjë të tillë.

Përderisa sivjet u bë publike edhe aktakuza ku të përfshirë janë edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli, zhbërja e Speciales është bërë sërish temë diskutimi.

Organizatat së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë paralajmëruar për 9 korrik protestë me qëllim thirrjen për zhbërjen e kësaj Gjykate.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se ka qenë kundër kësaj gjykate duke i ditur pasojat dhe dëmet që do t’ia shkaktojë Kosovës dhe UÇK-së.

Tutje, Gucati tha se kjo gjykatë është e njëanshme dhe raciste.

“Është dashur të përndiqen kriminelët serb, sepse kjo gjykatë është më tepër politike.  Kjo gjykatë është edhe turpi i ndërkombëtarëve”.

“Kjo gjykatë në gusht i bënë pesë vjet dhe Parlamenti i Kosovës do të vendosë a t’i vazhdohet apo ndërpritet. Ne do të bëjmë kërkesë prapë në gusht dhe do t’i drejtohemi deputetëve të Kosovës dhe të gjitha grupeve parlamentare që kjo gjykatë të ndërpritet”.

Mes tjerash, Gucati ka thënë se edhe aleatët tanë ndërkombëtar e kanë kuptuar që kjo gjykatë është e dëmshme dhe e njëanshme. Sipas tij, kjo gjykatë po kënaq epshet e Serbisë dhe Rusisë.

“Janë edhe nëntë persona të tjerë që do të dënohen mbas presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së  Kadri Veseli por janë intervistuar 270 veta. Dhashtë Zoti që të mos ftohet askush dhe kjo gjykatë të shpërbëhet.  Edhe aleatët e kanë kuptuar që kjo gjykatë është e dëmshme dhe e njëanshme, sepse ata janë aleatët kryesor që na kanë ndihmuar për çlirimin e vendit”.

“Është pikëpyetje se mos po rrezikohen edhe ata tash. Kjo po ndodh që të kënaqen epshet e Serbisë dhe Rusisë, që të na sjellin në nivel për krimet që ka bërë Serbia”, shtoi ai.

Edhe Partia Socialdemokrate e Kosovës, ka kërkuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Teuta Rrusta Sekretare në këtë parti, tha se nuk mund të jetë më i dëmshëm shfuqizimi sesa kjo Gjykatë e cila UÇK-në e barazon me luftën e Serbisë.

“Nuk mund të jetë më i dëmshëm shfuqizimi sesa kjo gjykatë e cila UÇK-në e barazon me luftën e Serbisë e cila ka vrarë e përdhunuar në Kosovë”.

“Njëherë duhet vendosur kornizat politike dhe barazitare dhe pastaj mund të flasim për marrëveshje. Duhet Kuvendi ta shfuqizojë Gjykatën. Nuk ka asgjë që nuk bëhet me vullnet politik”, shtoi ajo.

Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, në një intervistë për Ekonomia Online tha se UÇK-ja ka bërë një luftë defanzive dhe mbrojtëse, ku është vërtetuar një luftë e pastër në frymën e të drejtës ndërkombëtare.

Por, sipas profesor Baraliut, kjo gjykatë nuk mund të zhbëhet, sepse mekanizmi i saj është se përveç emrit nuk ka asgjë të Kosovës.

“UÇK-ja ka bërë një luftë defanzive dhe mbrojtëse dhe është vërtetuar një luftë e pastër në frymën e të drejtës ndërkombëtare”.

“Nuk mund të zhbëhet sepse mekanizmi i saj është se përveç emrit nuk ka asgjë të Kosovës. Po në këtë ligj që është miratuar nga dy të tretat e Kuvendit të Kosovës fatkeqësisht shkruan se nuk mund të zhbëhet edhe jashtë mandatit 5 vjeçar. Ka qenë e dëmshme si gjykatë. Ndërkaq pasojat janë shumë të mëdha. E para gjykata është një etnike”.

“Pala e dëmtuar siç jemi ne me një spastrim etnik mbi 1 milion njerëz të përzënë me dhunë nga vendi, me një shkatërrim mbi 120 mijë shtëpive dhe vrasjen e 13 mijë e 500 njerëzve të bëhet objekt i një gjykimi ndërkombëtar që po del të jetë me primesa politike, sepse është kjo gjykatë që e kemi formuar”.

“Është e pashembullt se para se të ngritet aktakuzë dhe të konfirmohet ajo të shpallet një aktakuzë siç është bërë për këta dy persona të rëndësishëm dhe nëntë të tjerë”.

Tutje, Baraliu ka thënë se EULEX-it i ka përfunduar mandati me 14 qershor, mirëpo ata ende janë duke vazhduar punën e tyre.

Ai tha se kushdo që nuk  e respekton sovranitetin e Kosovës do të duhej t’i nënshtrohej masave ligjore.

“Edhe me EULEX-in  nuk po ndodh një gjë e tillë, sepse me 14 qershor është dashur të përfundojë për herë të fundit mandatin e tij në Kosovë, mirëpo ata kanë vazhduar dhe nuk po e pyesin askënd dhe nuk po e respektojnë sovranitetin e Kosovës. Kushdo që nuk i respekton do të duhej ti nënshtrohej masave ligjore”, shtoi ai.

Në dhjeto të vitit 2011 senatori zvicerani Dick Marti publiko një raport në Këshillin e Evropës ku i përmendet  ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si të përfshirë në krime lufte.

Përderisa në verën e vitit 2015 deputetët e Kuvendit i dhanë dritën jeshile Speciale. Selia e saj u vendos në Hagë, ndërsa gjatë tri viteve të para u arrit edhe funksionalizimi i plotë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme