Zhvillimet e mundshme politike, pas verdiktit të Kushtetueses

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

Verdikti përmes të cilit Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se dekreti i presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën, ka sqaruar shumë dilema se si duhet të interpretohen dispozitat kushtetuese edhe në të ardhmen, se si duhet të veprohet në rast të mocionit të mosbesmit ndaj qeverisë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Por, sipas tyre, cilido që do të ishte vendimi i kësaj gjykate, reagimet nga subjektet e caktuara politike do të ishin të pashmangshme.

Megjithatë, siç thonë ata, verdikti i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga të gjitha partitë politike, për shkak se vendimet e saj janë të paapelueshme dhe i obligojnë të gjitha institucionet që t’i respektojnë.

Modifikim i qëndrimit ose rrugë e vështirë për Vetëvendosjen

Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte kërkuar vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e dekretimit të Avdullah Hotiti për kryeministër nga presidenti Thaçi, tashmë ka shprehur mospajtimin me verdiktin e saj, duke e cilësuar si të papranueshëm.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur mjaft indikacione të qarta nga udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të pranohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese që nuk do të jetë në përputhje me pritjet e tyre.

“Tash është e qartë që vendimi nuk është i tillë. Prandaj, përfaqësuesit e Vetëvendosjes do të duhej ose ta modifikojnë qëndrimin e tyre, që do të ishte tejet pozitive për Kosovën në përgjithësi, ose t’i hyjnë një rruge të vështirë, të rëndë të sfidimit të këtij vendimi, gjë që do t’iu humbte shumë kohë edhe proceseve të Kosovës në përgjithësi, mirëpo do të ndikonte edhe në imazhin e skenës politike në tërësi”, thotë Muhaxhiri.

Analisti Arton Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, pritet që të nisin procedurat për krijimin e qeverisë së re, brenda afatit të caktuar kohor. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje. Por, sipas tij, reagimet e Lëvizjes Vetëvendosje janë krejtësisht të pritshme.

“Pra, mund të pritet reagim nga ana e Vetëvendosjes, qoftë përmes protestave dhe mbase edhe ndonjë rezistencë për sa i përket largimit nga institucionet. Por, unë nuk besoj që ka për të ndodhur, sidomos kjo e dyta. Protesta, normalisht, është demokratike dhe kushtetuese për aq sa respektohen normat dhe rregullat, si dhe është e qetë. Mund të protestojnë pa problem ata që janë të pakënaqur, por duke mos rezistuar dhe duke mos e penguar zbatimin e vendimit (të Gjykatës Kushtetuese) në praktikë”, thotë Demhasaj.

Të ngjashme