Zhvillimet kaotike në Mal të Zi, reagon Memli Krasniqi: Kjo është “déjà vu” e viteve ’90

Prishtinë | 05 Sht 2021 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur i shqetësuar me situatën kaotike në Malin e Zi, me rastin e shugurimit të kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje, që kulmoi me protesta të përshkallëzuara në rrugë.

Kreu i PDK-së përmes një reagimi në Twitter u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që t’i bëjnë presion Serbisë për ta respektuar sovranitetin e fqinjve të saj në Ballkan, raporton Gazeta Express.

“Jam thellësisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit në Malin e Zi. Kjo është një ‘déjà vu’ e viteve ’90 kur Serbia e instrumentalizoi fenë për ta nxitur destabilizimin dhe konfliktin. U bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare që t’i bëjnë presion Serbisë që ta respektojë sovranitetin e Malit të Zi dhe të të gjitha vendeve fqinje”, ka shkrurar Krasniqi.

Mitropoliti serb Joanikije u shugurua sot në mëngjes në kryeqytetin historik fetar të Malit të Zi, pavarësisht kundërshtimit nga mijëra protestues që i mbajtën rrugët e bllokuara për në Cetinje për dy ditë rresht.

Mitropoliti Joanikije dhe Patriarku serb, Porfirije arritën në Cetinje me helikopter dhe të shoqëruar nga një njësi speciale e policisë, ndërsa forcat e policisë thyen barrikadat dhe protesta u përshkallëzua në zemër të kryeqytetit malazez dhe në rrugë.

Ceremonia u parapri nga incidentet në të cilat, sipas të dhënave zyrtare, shtatë policë u plagosën dhe dhjetëra protestues kërkuan ndihmë mjekësore. Gjithashtu, 14 persona u arrestuan, në mesin e të ciëve edhe këshilltari i sigurisë i presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, Veselin Veljoviq.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq tha se sulmi ndaj policisë ishte sulm ndaj shtetit.

Në një reagim të jashtëzakonshëm pas situatës kaotike në Cetinje dhe shugurimit të mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se “vetëm një njeri pa dinjitet do ta lejonte veten të futej në manastirin e Cetinjes me helikopter”.

“Sot në Cetinje, ne ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e ortodoksisë së përgjithshme”, tha presidenti malazez.

Protestat e fundit tregojnë qartë tensionet në Malin e Zi midis banorëve që mbrojnë lidhjet e ngushta me Beogradin dhe malazezët patriotë që e kundërshtojnë këtë.

Të ngjashme