Zotimi i Kurtit kundër themelimit të Asociacionit, ShBA: Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar, është thelbësore të respektohen marrëveshjet e Brukselit

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe po vazhdon të jetë aktualitet kohëve të fundit në vend. Kryeministri Albin Kurti, në veçanti, ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij, duke ritheksuar se Asociacioni i komunave serbe nuk do të formohet, ani pse një gjë e tillë parashihet me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në Bruksel qysh në vitin 2013.

Qëndrimet e kreut të Ekzekutivit kosovar, të shndërruara tashmë pothuajse në zotime, se nuk do të lejojë krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë po “kundërshtohen” nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, ka thënë se qëndrimi i SHBA-së sa i përket implementimit të Asociacionit, nuk ka ndryshuar.

Në përgjigje theksohet se SHBA-ja nuk ka ndonjë përshkrim për mënyrën se si duhet të zbatohet marrëveshja për Asociacionin apo ndonjë tjetër marrëveshje dhe se kjo çështje është subjekt i asaj se si palët janë marrë vesh mes vete.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar. Është thelbësore që Kosova dhe Serbia të respektojnë zotimet e tyre duke zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Këtu përfshihet Asociacioni i Komunave Serbe. Ne nuk po përshkruajmë se si duhet të zbatohet kjo marrëveshje, apo ndonjë tjetër. Teknikat e zbatimit janë në dorën e palëve”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, për Gazetën Online Reporteri.net.

Se marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe duhet të implementohet e thonë edhe nga Bashkimi Evropian.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka thënë para disa ditësh se duhet zbatuar gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në Bruksel, përfshirë edhe ajo për formimin e Asociacionit.

“Si BE dhe kjo është edhe në Raport, duhet zbatuar gjitha marrëveshjet e kaluara dhe kjo përfshinë edhe marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin”, ka thënë Szunyog.

“Në opozitë apo qeveri”, Zotimi i Kurtit për mosthemelimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në javën e fundit, ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij kundër krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

I pari i ekzekutivit ka thënë se Republika e Kosovës nuk është kundër banorëve serbë të saj por nuk mund të lejohet që të Serbia të krijojë një shtet brenda shtetit tonë, ashtu siç kanë bërë në Bosnjë.

Ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk duron asociacione mbi baza etnike.

“Kushtetuta e Kosovës, kushtetutshmëria në Kosovë nuk duron asociacione mbi baza etnike, ne jemi të përqendruar të agjenda jonë zhvillimore për punësim, të agjenda jonë kundër korrupsionit për drejtës”, është shprehur Kurti, gjatë një vizite në Prizren javën e kaluar.

Qëndrim të njëjtë për Asociacionin, Kurti ka dhënë edhe në një intervistë për BBC.

Kryeministri në intervistën për gjigantin britanik ka thënë se Serbia do që Kosova do të bosnjëzohet, por ai ka premtuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Ata (Serbia) donë që ta përsërisin bosnjëzimin në Kosovë, ne nuk do ta lejojmë këtë, qofshim në opozitë apo qeveri”, u zotua i pari i ekzekutivit kosovar.

Reagim për këtë çështje ka pasur edhe nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se një asociacion i komunave serbe me kompetenca ekzekutive do të ishte prelud i krijimit të një “Republika Srpska”.

Ajo, dje, gjatë një diskutimit për të ardhmen e Kosovës dhe sfidat e rajonit në kuadër të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, në SHBA, ka thënë se ky asociacion nuk do t’i shkaktonte probleme vetëm Kosovës por edhe aleatëve.

“Zbatimi nuk është prelud vetëm i krijimit i një “Republika Srpska” por shkon kundër investimeve për stabilitet që partnerët tanë që kanë bërë me vjet. Nuk është e mirë as për partnerët, do t’u shkaktojë kokëdhimbje. Edhe ju do të përballeni me këtë mostabilitet”, është shprehur Osmani nga SHBA-të.

Osmani ka sqaruar se marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe nuk mund të zbatohet pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk është në linjë me të.

Se implementimi i Asociacionit është i dëmshëm për Kosovën, e ka thënë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropaine, javën që shkoi, Gërvalla ka thënë se Asociacioni krijon një Bosnjë të dytë në Kosovë.

“Open Ballkan dhe Asociacioni i komunave serbe në Kosovë janë dy tema të cilat i kemi analizuar dhe për Kosovën në këtë formë që janë, janë të dëmshme. Përfaqësitë tona diplomatike, shoqëria civile dhe gjithë ne së bashku dhe të gjithë atyre që kanë interes në një zhvillim të mirë të Kosovës, t’ua shpjegojmë që janë të dëmshme për Kosovën, asociacion i komunave serbe e krijon një Bosnje të dytë në Kosovë, ashtu e gjykoj unë, për mendimin tim”, ka thënë ajo.

Ministri Rakiq sfidon Kryeministrin, ‘kërcënon’ me largim nga Qeveria nëse nuk formohet Asociacioni

Për dallim nga shefi i tij i ekzekutivit, ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka kërkuar së fundi që Kosova ta impelmentojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit serb në Kosovë.

Rreth tri javë më parë, ministri serb i Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar se nëse nuk formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe deri në fund të vitit ata do të japin dorëheqje nga të gjitha pozitat dhe do të largohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Nëse nuk krijohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe deri në fund të vitit, unë do t’i informoj të gjithë faktorët relevantë se do të largohemi nga të gjitha institucionet e Prishtinës në veri, në të gjitha nivelet”, ka deklaruar Rakiqi.

Një paralajmërim të tillë e ka dhënë edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun.

Drecun ka thënë se populli serb i është përgjigjur qartë të gjitha masave të njëanshme të Prishtinës me rezultatin e mirë të Listës Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Andaj, sipas tij, me këtë rezultat serbët kanë treguar se nuk kanë frikë, nga siç tha ai, veprimet e dhunshme të Prishtinës. Me këtë besim që ka fituar Lista Serbe, Drecun thotë se tani janë gati të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk formohet Asociacioni i Komunave Serbe.

Çka parasheh Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Të ngjashme