Zv.kryeministri Bislimi priti në takim ambasadoren e Luksemburgut, flasin për integrimet evropiane

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, znj. Natacha Gomes.

Ambasadorja Gomes e uroi zëvendëskryeministrin Bislimi për marrjen e detyrës dhe shprehu gatishmërinë e Luksemburgut që të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën dhe qeverinë e re, me synimin pēr përforcimin e partneritetit midis dy shteteve.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadoren Gomes për vizitën dhe shprehu falënderime për përkrahjen e deritanishme të Luksemburgut në Kosovë, në projekte të fushave të ndryshme, të cilat janë njëherësh edhe fusha prioritare të qeverisë së re.

Veç tjerash, ambasadorja Gomes dhe zëvendëskryeministri Bislimi diskutuan edhe për integrimet evropiane, si një ndër fushat e fokusit të Luksemburgut në Kosovë. Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadoren rreth hapave të shpejtë që po ndërmirren për krijimin e strukturave, që do të sigurojnë implementim sa më të mirë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e qē do të përshpejtonte rrugën drejt BE-së.​

Të ngjashme