Zv. ministri i MPJ-së: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL e ndihmon shumë këtë organizatë

Prishtinë | 18 Maj 2019 | 08:19 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ditë më parë Policia e Kosovës u deklarua se mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka ndikuar që vendi ynë të jetë vend transit i armëve. E, kjo sfidë do e përcjellë Kosovën në luftimin e trafikimit me armë derisa Policia e Kosovës do të bëhet anëtare e INTERPOL-it.

Por, për zv. ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Çerkin Dukolli, Kosova qëndron mirë sa i përket sigurisë së përgjithshme dhe nuk ka indikacione që paraqesin rrezik.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online thotë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL e ndihmon shumë sigurinë e përgjithshme duke përmendur terrorizmin dhe trafikimin, por sipas tij ky anëtarësim e ndihmon shumë vet INTERPOL-in.

“Janë duke u bërë koordinimet e duhura dhe në momentin e duhur do ta kemi rezultatin për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Momentumet e favorshme kërkohen në koordinim me vendet mike që kërkohen pavarësisht datës, ne presim momentum më të favorshëm. Unë mendoj që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL më së shumti i shërben vet sigurisë së përgjithshme dh.m.th. anëtarësimi e ndihmon shumë organizatën e INTERPOL-it  dhe ndikon shumë në siguri,  sa i përket terrorizimit dhe trafikimeve. Vendi është mirë sa i përket sigurisë dhe nuk ka indikacione që paraqesin rrezik”, ka thënë Dukolli.

Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare derisa ka treguar se deri më tani vendi ynë është anëtare në mbi 80 organizata ndërkombëtare.

“Sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare është prioritet i MPJ-së që ky anëtarësim të jetë sa më i madh në numër. Aktualisht Kosova është e anëtarësuar në mbi 80 Organizata Ndërkombëtare. Anëtarësimi krijon avantazhe të duhura për vendin tonë dhe forcon subjektivitetin tonë ndërkombëtarë dhe jep mundësi vendit tonë mundësi që të jep Kosova kontributin e vet në këto organizma. Vitin e kaluar kemi përmbyllur me sukses ngritjen e statusit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë tani kemi statusin anëtarë të asocuar”, tha Dukolli për Ekonomia Online.

Zv. ministri Dukolli e ka përmendur si sukses anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës. Ai ka thënë se së shpejti do të ndodhin edhe aplikime të tjera në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Gjatë këtij vitit, e kemi realizuar një anëtarësim në Unionin Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës, që ka të bëjë më turizmin, lumenjtë dhe besoj se do t’i shërbejë Agjensionit tonë të performojë aty dhe të jep kontribut aty dhe të merr të mirat nga ky anëtarësim. Ky proces ka sfidat e veta, por megjithatë vendi dhe mekanizmat tanë bëjnë punën më të mirë të mundshme. Ka aplikime, do të ndodhin aplikime në organizata të ndryshme ndërkombëtare, është proces që ka ndjeshmërinë e vet dhe që bëhet me vendet anëtare që ndihmojnë procesin”, ka thënë Dukolli.

Duke përmendur luftën agresive që po bënë Serbia, pengesat për anëtarësim në organizata të ndryshme si dhe fushatën për ç’njohje të Kosovës, Dukolli tha se kjo nuk i bënë mirë zhvillimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.

“Fqinji ynë Serbia është lëshuar në një luftë agresive dhe diplomatike e cila nuk i bënë mirë zhvillimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë rajonale. Ne presim që të kemi rezultate të duhura në këtë vit.Të gjithë mekanizmat e MPJ-së dhe misionet diplomatike po bëjnë punën më të mirë të mundshme në planin ndërkombëtar në paraqitjen e vendit tonë si shtet demokratik, si shtet që ka në rend të parë integrimin, BE-në, NATO-n dhe organizmat ndërkombëtar”, tha ai.

Dukolli tha se MPJ është duke punuar vazhdimisht në arritjen e njohjeve të reja nga ato vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Sipas tij, njohja e një shteti për një shtet të veçantë apo të ri është kryesisht në diskrecion të vendeve të cilave u kërkohet njohja.

Të ngjashme