Zyba: Deklarata e Vuçiqit për aksion në veri ka qëllim ta mbajë situatën në tension

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryetari në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, Sali Zyba, ka thënë se nuk janë të vërteta deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për një aksion tjetër të autoriteteve kosovare në veri më 6 nëntor.

“Ne nuk kemi informacion, nuk kanë as qytetarët, por as mekanizmat qeveritarë as për mundësinë e as qëllimin, as planet e skenarin siç është proklamuar nga personat tashmë të identifikuar që nuk janë dashamirë të Qeverisë së Kosovës e as vendit tonë”.

“Nuk ka projekte, qëllime dhe arsye që të ketë aso veprime në këtë fazë dhe me këtë qëllim. Arsyet mund të jenë të ndryshme pse presidenti i Serbisë e ka dhënë këtë kinse informatë e cila është dezinformatë që i duhet atij dhe opinionit në Serbi, jo veç opinionit të brendshëm, por edhe konsumit politik për pushtetin në Serbi”.

Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, tha se presidenti serb deklaroi kështu me qëllimin që situatën ta mbajë në tension dhe asesi për interesin e serbëve lokalë të kësaj ane.

“Qeveria e Kosovës çkado që paralajmëron dhe të ketë konsulta në rastet kur faktori ndërkombëtar është i pashmangshëm për gjëra dhe veprime në kuadër që i përkasin secilit dikaster qeveritar nuk pyetet Serbia e aq më pak presidenti i Serbisë për të cilin nuk konsideroj që e ka qëllimin e mirë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës në cilëndo prej komunave të veriut të Kosovës nuk iu bën nder dhe as nuk është në funksion të tyre”.

“Konsideroj se edhe këtu ka pasë për qëllim që ta mbajë në tension apo ta alarmojë situatën që të ketë në kontroll përmes strukturave ilegale dhe kriminale. Kjo është një ushqim i situatës për ta, por jo në interes të banorëve dhe të vetë sigurisë në pjesën veriore, sepse është tentim çrregullimi i situatës por nuk ia del dot sepse nuk ka gjasa që Qeveria e Kosovës të marrë veprime të tilla që nuk janë në funksion të qytetarëve atje”.

Të ngjashme