Zyra e BE-së “lidh” të rinjtë me kompanitë e teknologjisë informative në Kosovë

Prishtinë | 10 Maj 2022 | 14:16 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Studentë të teknologjisë dhe informacionit u takuan me udhëheqësit e disa prej kompanive më të mëdha në sektorin e Teknologjisë Informative (IT) në Kosovë, si TIVE Inc., Komtel Project Engineering, Appdec, Hallakate , dhe të tjera.

Takimi i cili u organizua në Ditën e Evropës, nga Shtëpia e Evropës në bashkëpunim me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës, iu ofroi studentëve të mësojnë më shumë për mundësitë e panumërta në sektorin e IT-së, dhe iu ofroi mundësi të punës praktike dhe punësimit në këto kompani.

Annacarin Platon, zëvendësshefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se kjo ngjarje do të shërbejë si urë lidhëse ndërmejt të rinjve dhe kompanive të TIK-ut. 

“Kemi organizuar këtë takim për t’u dhënë studentëve mundësi të kenë kontakte të drejtpërdrejta me kompaninë e TIK-ut në Kosovë, në mënyrë që të jenë në gjëndje të shohin se cilat mundësi janë për ta. Jemi shumë të lumtur të kontribuojmë për mundësitë dhe zhvillimin në sektorin e TIK-ut në Kosovë”. 

“Ne jemi të lumtur që shohim interesim nga studentë, vajzat, djemtë, gratë dhe burrat dhe jemi mirënjohës për kompanitë të cilat kanë gjetur kohë për të ardhur këtu”, tha ajo.

Astrit Leti, përfaqësues kompanisë “Internet of Things”, ka thënë se kanë identifikuar mbi 5000 inxhinierë të cilët kryejnë shërbime në kompani në vende të ndryshme të botës. 

Sipas tij, vlera e këtyre shërbimeve arrijnë në miliona euro, duke shtuar se mundësitë dhe kërkesat janë të mëdha.

“Ne kemi përkrahje të jashtëzakonshme nga BE. Kemi identifikuar mbi 5 000 inxhinier të cilët punojnë dhe veprojnë në Kosovë direkt në kompani të ndryshme që ofrojnë produkte vetëm në këtë sektor. Vlera e krejt kësaj ka arritur në 130 milionë shërbime eksport në teknologji të informacionit. Kjo është një rritje e periudhës së vitit të kaluar”. 

“Mundësitë dhe kërkesat janë shumë të mëdha në krejt rajonin. Bota po funksionon me një tempo shumë të shpejtë, gjuhët programuese po rriten çdo ditë”. 

Vjollca Çavolli, drejtoreshë Ekzekutive e STIKK, tha se fusha e teknologjisë është i vetmi sektor që pamundëson ikjen e trurit jashtë Kosovës. 

“Eventi i sotëm është një ngjarje lidhëses në mes të studentëve, punëtorëve potencial të këtij sektori dhe kompanive të cilat vazhdimisht kanë nevojë për fuqi të re punëtore pasi që ky sektor është duke u zhvilluar në mënyrë marramendëse dhe gjithsesi ka nevojë për fuqi punëtore”. 

“Fusha e teknologjisë është i vetmi sektor i cili e pamundëson ikjen e trurit jashtë vendit. Për shkak të rrethanave në të cilat jetojmë këta të rinj mund të punojnë në një kompani nga shtëpia duke mos ikur jashtë vendit”. 

“Potenciali i të rinjve është shumë i madh për punësim, mirëpo shkathtësitë dhe edukimi po qalon aq shumë sa ne si kompani kemi shumë problem për gjetjen e të rinjve që janë të shkathtë. Është momenti i fundit që ne duhet me u mobilizu me pas edukim sa më të mirëfilltë”. 

Dua Miftari studente në kolegjin UBT, ka bërë thirrje që të rinjtë të merren me mundësit që ofron teknologjia, raporton EO. 

“Është një fushë sfiduese dhe e veçantë e cila çdo herë sjellë diçka të re. Mendoj të bëhem një nga programeret më të mira. Të rinjtë i kisha këshilluar me provuar veten në çfarëdo lloj gjuhe programuese”.

Të ngjashme