Zyra e kryeministrit Kurti: Sot në Bruksel kishte dy tema në agjendë

Prishtinë | 18 Gus 2022 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë shtypi në lidhje me takimin e tretë i nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që u mbajt sot në Bruksel.

Sipas komunikatës, ky takim është dashur të mbahej më 19 korrik. “Mirëpo, ai u pat shtyrë për muajin gusht me kërkesën e palës tjetër, gjersa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pat shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje”.

Në vazhdim të njoftimit thuhet se sot kishte dy tema në agjendë.

“E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Kryeministri Kurti thuhet e falënderoi Bashkimin Evropian, z.Borrel dhe z.Lajçak, për organizimin dhe ndërmjetësimin në këto bisedime, drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Të ngjashme