Zyra e Kurtit thyen heshtjen për liturgjinë ortodokse në kishën brenda kampusit të UP-së

Prishtinë | 12 Qer 2021 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Zyra e kryeministrit Kurti ka thyer heshtjen dy ditë pasi Kisha Ortodokse Serbe përmes peshkopit të Rashkës dhe Prizrenit Teodosije organizoi liturgji fetare në objektin e braktisur në kampusin e UP-së.

Luan Dalipi, shef i stafit të Kurtit ka zgjedhur rrjetin social Twitter që të reagojë për liturgjinë fetare të dy ditëve më parë, të cilën e ka quajtur si provokim të qeverisë së Serbisë përmes Kishës Ortodokse Serbe.

“Kosova është krenare me tolerancën e vet fetare të të gjitha besimeve, të zbatuar përditë në tërë tokat e saj. Qëllimi i qeverisë serbe është që të provokojë përmes Kishës Ortodokse Serbe duke mbajtur një liturgji brenda terrenit të Universitetit të Prishtinës, në një objekt të papërfunduar”, ka shkruar Dalipi.

Dalipi poashtu ka shkruar se Serbia përmes objekteve të papërfunduara po përpiqet që ta destabilizojë vendin që dikur e pushtoi.

“Objekti ishte ndërtuar me forcë gjatë regjimit dhe fushatës gjenocidiale të Millosheviqit dhe në fund, studentët dhe mësimdhënësit shqiptarë ishin përjashtuar nga UP-ja dhe qindra shkolla të mesme në tërë Kosovën. Përderisa kombet demokratike angazhohen në debate energjike dhe vlerësime të thella rreth monumenteve që e lartësojnë shtypjen, Serbia përdor relikte të së kaluarës së vet të erret në përpjekje për ta destabilizuar vendin që e pushtoi dhe e shtypi në mënyrë brutale për një shekull, duke kulmuar në gjenocid”, ka shkruar ai.

Tutje shefi i stafit të Kurtit është shprehur se qeveria e Kosovës i bën thirrje qeverisë së Serbisë që të ballafaqohet me të kaluarën dhe të ndalet me nxitje të trazirave.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë serbe që të ballafaqohet me të kaluarën e vet e jo të përpiqet që t’i avancojë agjendat e veta politike nën mantelin e besimit. Porosia jonë për ta është që të mos qajnë si për ujkun (shprehje figurative: kur dikush kërkon ndihmë pa nevojë e pastaj nuk i besohet kur vërtet ka nevojë), të ndalet së nxituri trazira dhe në vend të kësaj, të përqendrohet në hapjen e një kapitulli të ri të paqes duke e njohur shtetësinë e Kosovës. Ne i falënderojmë qytetarët që shfaqën pjekuri duke e mbajtur qetësinë dhe duke shmangur çfarëdo provokimi”, ka thënë ai.

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji të enjten në objektin e braktisur në oborrin e UP-së për herë të parë prej vitit 1998.

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë.

“Për herë të parë që nga viti 1998, një liturgji është mbajtur në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në qendër të Prishtinës. Liturgjia e shenjtë është shërbyer nga Peshkopi Teodosije me priftërinj dhe besimtarë në kishën e pambaruar, për nder të ditës së ngritjes”, thuhet në njoftimin e Dioçezës.

Qeveria e Kosovës s’ka kthyer përgjigje në pyetjen e Gazetës Express, dy ditë më parë se a ka pasur dijeni për mbajtjen e liturgjisë fetare sot në Kishën e braktisur brenda kampusit të UP-së, themelet e së cilës i kishte vënë lideri famkeq i paramilitarëve serbë, Arkani. As MPJ nuk ka dhënë ndonjë sqarim.

As policia e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës, teksa dy policë janë parë gjatë ditës afër ambientit të Kishës që sipas fotografive kanë qëndruar aty pas përfundimit të liturgjisë fetare.

Të ngjashme