Zyra e Presidentes sqaron se 950 euro kushtuan disa bredha me stoli

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 23:05 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një “demant” sikur e quan ajo, në adresë të disa medieve, përfshirë Ekonomia Online, në lidhje me lajmin e publikuar për blerjen e një bredhi dekorativ dhe disa stolive përcjellëse.

Presidenca ka sqaruar se në çmimin prej 950 eurosh përfshihen disa bredha dhe stolitë.

Në fakt, titulli i kontratës në dokumentin që i është bashkëngjitur lajmit të publikuar, është “Furnizim me bredh dekorativ”. Dhe në lajm saktësohet se “në kuadër të këtij shpenzimi, sipas kontratës së publikuar nga Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik, futen edhe dritat e dekore të tjera”.

Sidoqoftë, e publikojmë të plotë “demantin”.

Pretendimi juaj se Presidenca ka blerë bredh 950 euro është i pasaktë dhe tendencioz.

Presidenca, duke përfillur procedurat ligjore të prokurimit ka bërë kërkesë për furnizim me gjëra dekorative duke përfshirë disa bredha, të cilat do të përdoren për dekorimin e Presidencës. Ndaj nuk bëhet fjalë për një bredh prej 950 euro, por furnizim me disa bredha dhe për tërësinë e gjërave dekoruese.

Sipas rregullativës ligjore, E-prokurimi kërkon që në titull të  kërkesës për furnizim të vendoset produkti me vlerën më të madhe, që në këtë rast janë bredhat, i cili e ka vlerën më të madhe. 

Siç mund të vërtetohet nga detajet, brenda procedurës janë të përfshira edhe dekorimet e tjera të cilat, së bashku me blerjen e bredhave, e arrijnë këtë shumë.

Ju lutemi që në funksion në informimit të drejtë të publikut, ta korrigjoni lajmin tuaj.

Të ngjashme