“Zyra e Presidentit është duke shfaqur tendenca për të vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së”

Prishtinë | 29 Kor 2019 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), kanë thënë se janë duke përcjellur me vëmendje procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shkruan EkonomiaOnline.

Përmes një reagimi KDI dhe D4D konsideron që Zyra e Presidentit është duke shfaqur tendenca për të vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Shkrimi i plotë:

Pas papranueshmërisë së kërkesës së presidentit Thaçi për interpretim të nenit 139, paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga ana e Gjykatës Kushtetuese, Zyra a Presidentit ka filluar dërgimin e kërkesave për nominim të anëtarëve të rinj të KQZ-së nga grupet parlamentare.

Megjithatë, nga informatat e siguruara nga terreni dhe nga mediet, KDI dhe D4D konsideron që Zyra e Presidentit është duke shfaqur tendenca për të vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Çdo përpjekje tjetër për të tejkaluar dispozitat ligjore në fuqi, ndikon negativisht në integritetin e zgjedhjeve dhe ka implikime në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përmes nenit 139 paragrafi 4 e rregullon përbërjen e KQZ-së, ku konstaton se gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, një (1) anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetin Serb të Kosovës dhe tre (3) anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese përmes Aktgjykimit në rastin Nr. KOU9/14 ka bërë interpretimin lidhur me çka konsiderohet grup më i madh parlamentar. Në pikën 116 të Aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese konstaton se grupi më i madh parlamentar, sipas nenit 67 (2) të Kushtetutës, konsiderohet partia, koalicioni, iniciativa qytetare dhe kandidatë e pavarur që kanë fituar më shumë mandate në Kuvend bazuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, e që kanë garuar si të tilla në zgjedhje.

Rrjedhimisht, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe rezultatin nga zgjedhjet parlamentare në vitin 2017, 11 vendet e KQZ-së duhet të shpërndahen si vijon: Koalicionit PAN, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së u takojnë nga dy anëtarë, grupeve parlamentare që përfaqësojnë komunitetet joshumicë u takojnë katër (4) anëtarë, dhe një(1) vend për kryetaren e KQZ-së. Çdo interpretim tjetër për përbërjen e KQZ-së është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

KDI dhe D4D konsiderojnë që funksionalizimi i KQZ-së duhet të trajtohet me prioritet nga presidenti, në mënyrë që t’i përmbushë obligimet e saj e aq më tepër kur disa nga anëtarët e KQZ-së vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit përkundër mosfunksionimit të këtij institucioni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme