Zyrtari i AAK-së: Zgjedhjet mbahen sipas afateve ligjore, jo në bazë të sondazheve

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun i AAK-së, Ardian Azemi ka thënë se shtyrja eventuale e zgjedhjeve lokale krijon pecedane të rrezikshme dhe e lëndon demokracinë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se do të duhej të skuqeshin sado pak ata që kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve kur sondazhet nuk po japin lajme të mira për ta, ndërsa kërkonin zgjedhje atëherë kur ishin në favor të tyre.

“Mbajtja e zgjedhjeve lokale brenda afateve ligjore është e domosdoshme. Shtyrja e tyre e lëndon rëndë demokracinë dhe krijon precedane të rrezikshme. Do të duhej të skuqeshin sado pak ata që kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve kur sondazhet nuk japin lajme të mira, e kërkonin të mbaheshin ato atëherë kur sondazhet ishin në favor të tyre. Një parti politike normale e me njerëz normal, as nuk do ta mendonte këtë, lëre më të përpiqej”

“Situatë thuajse të njëjtë me pandeminë kishim edhe në shkurtin e këtij viti, pra në zgjedhjet nacionale. Askush nuk ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, përkundrazi, grumbulloheshin përkrahës e militantë me qindra, pa respektu asnjë masë. Pse tani po u dashke me i shty ato?”, ka shkruar Azemi.

Azemi ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen brenda afateve ligjore dhe në respektim të plotë të masave anti-Covid.

“Askush nuk i ka faj pse matjet e nxjerrin jo mirë partinë në pushtet. Ka qenë dashtë të mendohej dhe kuptohej me kohë detyrën që kanë në institucione dhe të realizonin të paktën një 10% të premtimeve të dhëna me vite të tëra. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda afateve ligjore, por në respektim të plotë të masave kundër pandemisë; fushatë pesë ditore, maska, pa tubime dhe me distancë. Kjo na duhet neve, secilës parti politike, papërjashtimisht”, është shprehur Azemi.

Ai ka thënë se nuk është koha e kalkulimeve politike, duke i bërë thirrje Qeverisë Kurti të menaxhojë me pandeminë dhe mos të lejojë skadimin e afatit të vaksinave.

“Tani jemi në një situatë ku qeveria duhet të menaxhojë me pandeminë, mos të lejojë që t’iu skadojë afati vaksinave, të organizojë edhe qendra të tjera vaksinimi. Nuk është koha e kalkulimeve politike, është koha për veprime që mbrojnë jetën e qytetarëve”.

“Në vend që të akuzojnë e shpifin për ish-qeveritë e Kosovës, të vizitojnë secilën komunë dhe të njihen nga afër me problemet me të cilat ballafaqohen ato, sidomos në luftën kundër pandemisë. Kosova nuk udhëhiqet nga objekti shumëkatësh, as përmes konferencave për shtyp, as duke i ikur ballafaqimeve nëpër televizione”, ka shtuar ai.

Sipas Azemit, qeveria Kurti ka dështuar në çdo pikëpamje.

“Që ka dështuar kjo qeveri në çdo pikëpamje, kjo më nuk do diskutim. Ta shpëtojmë atë që ka mbetur për tu shpëtuar”, ka përfunduar Azemi i AAK-së.

Të ngjashme