Zyrtari i LDK-së: Kurti po sillet si fëmijë

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, ka thënë se lideri i VV-së po bën sjellje fëmijërore me ofertat e tij publike.

Dushi thotë se vendi ka nevojë urgjente për qeverinë e re dhe kështu edhe sjelljet duhet të jenë me qasje më serioze.

“Përmes sjelljeve fëmijërore po vazhdon të komplikohet situata, ndërkohë që vendi ka nevojë urgjente për një qeveri ndryshe dhe veprime të pjekura e qasje serioze ndaj problemeve të shumta të qytetarëve tonë!”, ka shkruar Dushi në Facebook.

Kujtojmë se Lideri i VV’së dhe pretendenti për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, pak para takimit me Presidentin Thaçi, ka ftuar LDK’në që të propozojë emrat e saj për ministrat e 5 ministrive, derisa ka publikuar ata të tij, ku Ministra nga kjo parti sipas tij do të jenë, Haki Abazi, Albulena Haxhiu, Blerim Reka, Besnik Bislimi, Rozeta Hajdari dhe Arben Vitia.

Kjo siç duket të jetë edhe oferta e fundit e Kurtit për LDK’në, të cilës i bëri thirrje që të propozojë emrat e ministrive, ndërsa, ka publikuar edhe emrat të cilët i ka propozuar ai.

Një ofertë të tillë nuk dihet se a do të pranojë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila më parë kishte kërkuar që Ministria e Punëve të Jashtme t’i takojë asaj. Madje, si emër i mundshëm për ta drejtuar këtë ministri ishte përmendur ish-kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.

Të ngjashme