Zyrtarizohet kandidatura e Albin Kurtit për kryetar të VV-së

Prishtinë | 27 Dhj 2017 | 16:47 | Nga

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur sot në Prishtinë për të bërë verifikimin e nënshkrimeve të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm që kanë dhënë mbështetjen e tyre për kandidaturën e deputetit Albin Kurti për kryetar të Vetëvendosjes, si dhe për të trajtuar çështje të tjera që lidhen me procesin e zgjedhjeve të brendshme.

KZP-ja ka konstatuar se nënshkrimet janë grumbulluar dhe dorëzuar nga deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme si dhe me autorizimin e lëshuar nga deputeti Albin Kurti për grumbullimin e nënshkrimeve nga këto dy deputete. Pas verifikimit të nënshkrimeve të dorëzuara të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, KZP-ja konstatoi se është plotësuar kushti i nevojshëm i këtyre nënshkrimeve për zyrtarizimin e kandidaturës së Albin Kurtit sipas Statutit dhe Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme që është në fuqi, thuhet në njoftim shtypi të VV-së.

Nga sot, deputeti Albin Kurti është zyrtarisht kandidat për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e brendshme që do të zhvillohen në fillim të vitit 2018 sipas parimit një anëtar – një votë.

VV rikujton se afati kohor për të dorëzuar kandidatura të tjera për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje mbaron në datën 10 janar 2018.

“Nisur nga kërkesat e shumta për informim lidhur me këtë proces të brendshëm zgjedhor, si dhe duke marrë parasysh faktin që Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i madh në Republikën e Kosovës, KZP-ja do të vazhdojë ta mbajë të informuar rregullisht anëtarësinë dhe publikun e gjerë përmes njoftimeve mbi këtë proces të demokracisë së brendshme në VV”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme