Zyrtarja e Komisionit Evropian: Përmbushni kriteret, shumë shpejt mund të hiqen vizat

Prishtinë | 27 Qer 2018 | 10:41 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, tha se institucionet e Kosovës duhet të punojnë në përmbushjen e kritereve të caktuara sa i përket përmbushjes së kritereve për agjendën evropiane.

Ruiz-Calavera shtoi se liberalizimi i vizave mund të bëhet realitet për kosovarët nëse punohet në këtë drejtim, raporton Ekonomia Online.

“… shpresojmë që do të dalim me propozimin që shumë shpejt të kryhet edhe liberalizimi i vizave”.

“Kjo agjendë do ta udhëheqë Kosovën për t’i kryer reformat kyçe për sundimin e ligjit dhe që Kosova të vazhdojë përparimin. Kemi diskutuar rezultate të rëndësishme që i kemi arritur së bashku dhe zyra jonë këtu do ta ndihmojë Qeverinë në këtë agjende gjatë rrugëtimit të Kosovës. Jam e lumtur që në këto tema jemi duke bashkëpunuar dhe lëvizur përpara”.

“Vendimet që merren nga Qeveria duhet të jenë shumë të qëndrueshme. Mendoj që është shumë e rëndësishme të mendojmë për të rinjtë e Kosovës. Dhe besoj që do ta gjejmë një zgjidhje”.

Këto komente ajo i bëri pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Nesër pritet të publikohet raporti i BE-së për vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën. Sipas një draft-raporti të publikuar në media në pjesën për Kosovën thuhet se “Këshilli i Evropës vlerëson ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës në muajin mars të vitit 2018, që paraqet përmbushjen e njërit prej kritereve kryesore për liberalizimin e vizave, si një arritje e rëndësishme në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Calavera vjen në Kosovë për të lansuar Programin e ri të Reformës Ekonomike dhe për t’u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë, Kuvendit dhe akterët tjerë.

Ajo do të takohet me kryetarët e Grupeve Parlamentare Kuvendin e Kosovës, me ministrat relevant lidhur me Agjendën e Reformave Evropiane, dhe personalitet tjera të shoqërisë civile.

Në orën 14 drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian do të ketë takim bilateral me ministrin e Financave Bedri Hamza, kurse në orën 14:30, do të mbahet Takim i Koordinatorëve të fushave të Programit për Reforma në Ekonomi.

Të ngjashme