Presidentja Osmani reagon në Facebook: Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar

Prishtinë | 01 Sht 2022 | 21:32 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmjen e së enjtes ka reaguar në lidhje me grevën e mësimdhënësve dhe pamundësisë që mësimi të fillojë me një shtator.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se bojkoti i mësimit duhet të zëvendësohet me dialog në mes të palëve të përfshira, qeverisë dhe sindikatës së arsimit.

Osmani është shprehur se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka të drejtë të kërkojë mirëqenie për mësimdhënësit por jo të ndalohet i tërë procesi arsimor.

“Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar”, ka shkruar Osmani.

Kjo është hera e parë që presidentja deklarohet rreth grevës, për çka sindikatat kishin paralajmëruar tash sa muaj.

POSTIMI I PLOTË:

Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog.

Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresoj shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor.

Arsimi ka luajtur rol jo vetën në formimin e vetëdijes tonë kombëtare, por edhe në shtetndërtimin dhe përparimin tonë të gjithmbarshëm. Si i tillë, ai është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë.

Për këtë arsye, institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve. Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik.

Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t’i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera.

Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve.

Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t’ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t’ia zërë vendin dialogu.

Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor.

Të ngjashme