Projekti rajonal për ekonominë kreative lidh Kosovën, Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar

Prishtinë | 12 Mar 2026 | 12:55 | Nga Gzim Mujaj

Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL), në bashkëpunim me British Council, ka mbajtur në Prishtinë eventin përmbyllës rajonal të projektit “Bridging Creatives: Partneriteti Kosovë – Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar për Rritje Kreative”, ku u theksua roli i bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e ekonomisë kreative dhe fuqizimin e të rinjve në këtë sektor, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, tha se projekti është një iniciativë që ka krijuar lidhje të rëndësishme mes komuniteteve kreative të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

“Një iniciativë që ka krijuar lidhje të rëndësishme mes komuniteteve kreative të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Prishtina është një qytet i ri, energjik dhe kreativ. Si komunë, ne jemi të përkushtuar të mbështesim kulturën, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e ekonomisë kreative”, tha ai.

Udhëheqësja e projektit në IETL, Besa Zogaj Gashi, deklaroi se studentët shpesh nuk marrin njohuri praktike për prezantimin profesional dhe zhvillimin e aftësive të biznesit.

Ajo bëri të ditur se interesimi për programin ka qenë i lartë që në fazën e parë.

“Artistët tan nuk i marrin njohuri se si ta prezantojnë më mirë veten, si ta bëjnë një CV më mirë, si të kenë aftësi të lidership, menaxhim më të mirë të projekteve dhe si të bëjnë një biznes plan, e cila është njohuri e domosdoshme për të pasur sukses dhe të fuqizuar këtë sektor. Me rastin e lansimit të thirrjes, reagimi ndaj këtij programi ka qenë i jashtëzakonshëm. Kemi lansuar thirrjen në prag të festave të fundvitit dhe brenda dy jave kanë aplikuar saktë 123 aplikantë nga Kosova dhe nga Shqipëria. Nga këto të dhëna, 88 gra, 35 burra. Kjo është veçanërisht frymëzuese sepse thekson rolin e rëndësishëm që sektori kreativ mund ta luajë në promovimin e barazisë gjinore dhe në zgjerimin e mundësive për gratë në industrinë kreative”, tha ajo.

Ndërkaq, drejtoresha e Këshillit Britanik për Ballkanin Perëndimor, Clare Sears, theksoi mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e ekonomisë kreative në rajon.

Ajo tha se gjatë viteve të fundit janë mbështetur qeveri në faza të ndryshme të zhvillimit të këtij sektori.

“Kështu që gjatë viteve të fundit, kemi mbështetur qeveri në të gjithë rajonin në mënyra të ndryshme, sepse të gjitha vendet janë në faza të ndryshme të këtij rrugëtimi. Kosova, ndoshta një nga më të avancuarat, dhe ju keni pasur një nga konsulentët kryesorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe ndoshta në nivel global për ekonominë kreative. John Newbigin ju ka mbështetur në zhvillimin e strategjisë suaj kombëtare për Kosovën. Jam e lumtur që ka përfshirë kaq shumë sektorë të ndryshëm. Kemi projekte nga gaming-u te moda, prodhimi i filmave, animacioni, reklamat, por ky ishte projekti ynë për artet pamore dhe jam shumë e kënaqur që patëm partnerë kaq të fortë, dhe mendoj se është një ndërhyrje fantastike. Ajo që më pëlqen te fondi është se është jashtëzakonisht praktik. Ai fokusohet vërtet te aftësitë dhe më pak te teoria. Kështu që mendoj se duhen të dyja duke punuar paralelisht”, tha ajo.

Të ngjashme