Prokuroria kërkon dënimin e dy teknikëve të Radiologjisë të akuzuar për korrupsion, mbrojtja lirimin e tyre

Prishtinë | 13 Sht 2024 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Në fjalën përfundimtare të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Dulina Hamiti kërkoi dënimin e të akuzuarve Albert Deda dhe Ismet Veliu, ndërsa mbrojtja kërkoi që të akuzuarit të lirohen nga akuza.

Në këtë rast, Veliu dhe Deda, në cilësinë e teknikëve të Radiologjisë po akuzohen se kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Hamiti deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, duke shtuar se vlera e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të SHSKUK-së është vërtetuar se është 138 euro, dhe jo sikurse ishte përcaktuar në aktakuzë 202 euro.

Prokurorja i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit Albert Deda dhe Ismet Veliu të shpallen fajtorë për veprën e cila iu vihet në barrë.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve, fjalën përfundimtare e dorëzuan me shkrim, e më pas e elaboruan para trupit gjykues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Deda, avokati Labinot Vata, e kundërshtoi në tërësi aktakuzën e Prokurorisë, pasi sipas tij nuk ka paraqitur asnjë provë të vetme që dëshmon se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale që i ngarkohet.

“Prokuroria pretendon se kjo vepër penale është kryer në bashkëkryerje duke mos cekur kohën e kryerjes, përjashtimisht se data 6 shtator 2020 është datë në të cilën kanë kryer punën tri ndërrime dhe se nuk është përcaktuar koha se në cilin ndërrim është kryer kjo vepër penale”, tha Vata.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Veliu, avokati Qëndrim Zogaj, kundërshtoi në tërësi aktakuzën dhe kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Sipas tij, Veliu nuk është kryerës i veprës penale e cila i vihet në barrë. Këtë, ai tha se e ka vërtetuar edhe dëshmitari Bujar Gjikolli.

“Ky dëshmitar, në deklaratën e tij ka cituar se si drejtor i Radiologjisë ka bërë luftë me i vendosë kamerat e sigurisë për mbrojtjen e personelit, po ashtu ka theksuar se të gjithë teknikët që kanë qenë duke punuar kanë pasur çelësat e kabineit 6, ku kanë qëne të vendosur flakonat jojonik dhe në këtë kabinet kanë pasur qajse të gjithë stafi i teknikëve të Radiologjisë”, tha Zogaj.

Avokati theksoi se dëshmitari i lartpërmendur është habitur se si nga i gjithë stafi i teknikëve të Radiologjisë kanë përfunduar të akuzuar vetëm dy prej tyre.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2021, të akuzuarit Albert Deda dhe Ismet Veliu po akuzohen se në cilësinë e teknikëve të Radiologjisë në Repartin e Klinikës së Radiologjisë në SHSKUK-së, ku ishin përgjegjës të çelësave, kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e SHSKUK-së 202 euro, që t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim pasuror të kundërligjshëm.

Me këtë, Deda dhe Veliu po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.

Të ngjashme