Feminitet nuk do të thotë dobësi

Prishtinë | 02 Dhj 2022 | 00:50 | Nga Sulltana Aliaj

Parimi i të kundërtave është një ligj që sundon botën tonë. Gjithçka është e karakterizuar nga polaritetet ku vihen re ekstremet jetë-vdekje, ditë-natë, e mirë-e keqe, lumturi-trishtim, ndjenjë-arsye, dashuri-urrejtje dhe çdo gjë tjetër që mjafton t’i bashkëngjitësh në çift të kundërtën.

Ndoshta binomi më i diskutuar, për shkak të ndjeshmërisë është çifti grua-burrë. Të kundërt apo plotësues, të destinuar për të qenë në luftë për superioritet apo për të bashkëjetuar në harmoni, është një histori që përsëritet e tejçohet gjeneratë pas gjenerate. Për shkak të rrjedhës së ngjarjeve, qartësisht “beteja” meshkuj-femra ka pasur përpjekje të suksesshme për të ngritur lart figurën e një burri. Nëse kthehemi pas në histori, dhe në mënyrë specifike nëse u drejtohemi librave të shenjtë, ato pohojnë se gruaja ka lindur nga brinja e burrit. Nëpërmjet këtij pohimi, besimi përçon idenë se burri dhe gruaja janë bërë nga e njëjta përbërje humane dhe mbi të gjitha përçohet barazia, sepse brinja nuk iu mor njeriut nga koka që gruaja të qeverisë burrin, ose nga këmbët që burri ta përulë gruan dhe ajo të jetë në një pozitë inferiore para tij, por u mor në mes që të jenë të barabartë si qenie. Por, duke qenë se nuk ekziston realiteti i vërtetë, por gjithçka është një interpretim i realitetit, këto fakte të interpretuara në mënyra të ndryshme, mund të shërbejnë si një mbështetje për pro maskilizmit. Kështu, burri lindi i pari, gruaja ka lindur prej tij, rrjedhimisht gruaja është më inferiore dhe më poshtë sesa burri!!

Në fakt, ky artikull nuk do jetë një kritikë feministe apo antifeminsite. Ky shkrim do përpiqet që të përçojë lentet e ndryshme optike që psikologët e kanë parë rrethin burrë-grua dhe problemet që reflektohen nga një përplasje e fuqishme mes dy gjinive.

Si gjithmonë, kur flitet për psikologjinë, nuk mund të mos niset ndryshe përveçse me Frojdin. Pavarësisht se sipas Frojdit, ai nuk arriti asnjëherë gjatë punës së tij që të kuptonte se çfarë një grua dëshiron, pasqyrimi që i bën figurës së saj, është tejet i ulët dhe inferiror. Për shumë kritikë, teoria frojdiane, përfaqëson një shprehje të paragjykimeve ndaj grave. Besimi i Frojdit se gratë janë krijesa inferiore me organe seksuale të dëmtuara, me superego më të dobët dhe me një predispozitë më të madhe ndaj neurozës, janë shprehje të paragjykimeve seksiste, tipike për kohen ku ai jetoi, gjë që e bëri të vështirë edhe për një njeri të arsyeshëm dhe të ndjeshëm që të kuptonte psikikën femërore. Superegoja na tregon sesi duhet të sillemi dhe të veprojmë në një mënyrë sa më të pranuar shoqërisht. Fakti që gratë kanë një superego më të dobët, bën që ato të jenë më të predispozuara për të bërë gabime, për të mos marrë dot vendime dhe të mos arrijnë në nivelin e të menduarit apo të arsyetuarit si burrat. E për t’u drejtuar sërish një nga formave të shpjegimit të formimit të botës, ishte pikërisht gruaja që bëri gabimin e pare… A është kjo një mbështetje për atë që sapo u tha më sipër? A janë femrat më të lehta për t’u tunduar, për të mos qenë të afta që të dallojnë të drejtën nga e gabuara, të mirën nga e keqja, ashtu sikundër gruaja e parë që shkeli urdhrat dhe u dëbua nga Kopshi i Edenit? Unë jam skeptike që kjo është e vërtetë. Në fund të fundit, mosbindja, mosnënshtrimi janë vlera të çmuara nëse përdoren si duhet.

Shkenca psikologjike është përpjekur gjithmonë të kuptojë njeriun, atë që duket dhe nuk duket, atë që thuhet dhe atë që nënkuptohet, atë që mbahet mend dhe atë që është harruar, është përpjekur të kuptojë shpirtin e njeriut, psikikën, mënyrën si funksionon dhe mbi të gjitha përpiqet që të kuptojë sesi njeriu mund të rritet dhe të zhvillohet i shëndetshëm dhe si të realizojë në mënyrë sa më funksionale potencialet e tij.

Kështu, sipas Jungut, ne mund të ndihemi të realizuar vetëm nëse arrijmë të balancojme të kundërtat tona, nëse ato janë në ekulibër dhe në paqe. Kështu, të qenit burrë apo grua, nuk është një luftë të kundërtash, është një çift plotësues, i domosdoshëm për vazhdimësinë dhe i nevojshëm për harmoninë. Jungu futi konceptin e arketipave Anima dhe Animis, sipas të cilit të gjithë meshkujt dhe femrat kanë disa karakteristika të seksit të kundërt. Prirja e pandërgjegjshme femërore te meshkujt vjen si pasojë e arketipit të njohur si anima, kurse arketipi mashkullor te femra quhet animus. Anima dhe animus zhvillohen nga ekspozimi i gjeneratave ndaj gjinisë së kundërt dhe bën të mundur që çdo seks të ketë një kuptim të lindur për tjetrin. Në fund të fundit, te gratë dhe burrat ka më shumë ngjashmëri, sesa dallime!

Adleri dënonte me forcë të gjitha llojet e paragjykimeve shoqërore. Pabarazitë serioze mund të çojnë jo vetëm në formimin e komplekseve të inferioritetit dhe psikopatologjisë, por edhe për përpjekjet e tilla shkatërruese kompesuese, si lufta dhe revolucioni. Kështu, kur një vajzë percepton se djemtë janë më të favorizuar në shoqëri, ajo mund të zhvillojë formën e kompleksit superior, të njohur si protesta mashkullore. Kjo mund të përfshijë të veshurit si një djalë, këmbënguljen që të thirret me emrin e një djali ose largimin nga marrëdhëniet heteroseksuale dhe martesa. Nga ana tjetër, një djalë mund të vishet dhe të sillet si një vajzë sepse ai dyshon në aftësinë e tij për të përmbushur rolin e tij supozues më të lartë, duke u bërë kështu viktimë e stereotipit irracional të meshkujve të shoqërisë. Pabarazitë, nuk dëmtojnë vetëm vajzat. Impionimi i “të fortit” nga shoqëria për djemtë, bën që ata të jenë larg emocioneve, ndjenjave apo zgjedhjeve të lira, që bien ndesh me atë që shoqëria udhëzon.

Përballë koncepteve të Frojdit, që pasqyrojnë një tablo nënshtruese për grate, qëndron Horney. Sipas Horney, gratë nuk kanë zili për organin seksual mashkullor, nuk mund të jenë të shëndetshme vetëm nëse lindin një djalë dhe nuk kanë një superego më të dobët. Një organizëm biologjikisht i ndërtuar për funksionet femërore, nuk mund të drejtohet psikologjikisht nga dëshira për atributet mashkullore. Ajo vë në dukje se psikoanaliza frojdiane bazohet kryesisht në studimet nga terapistët meshkuj të pacientëve meshkuj, të cilët mund të kenë lënë në hije gëzimet e amësisë dhe superioritetet e tjera unike femërore. Horney thekson ndikimet kulturore në sjelljen e femrave. Nëse shoqëria e konsideron forcën, guximin, pavarësinë dhe lirinë seksuale si karakteristika mashkullore, duke përshkruar dobësinë dhe varësinë si karakteristika femërore, atëherë gratë do të priren të besojnë se ato meritojnë një pozicion varësie. Mendimi se gratë janë krijesa infantile dhe emocionale, dhe si të tilla, të paafta për përgjegjësi dhe pavarësi është shprehje e punës së tendencës mashkullore për të ulur vetërespektin e grave. Horney argumenton se zilia është e dyanshme, pasi burrat në mënyrë të pandërgjegjshme janë xhelozë për gjoksin e grave, pasivitetin dhe aftësinë për të lindur fëmijë.

Nëpër shekuj, pranimi i atributeve femërore dukej se binte ndesh me sukseset në jetë. Të qenit vajza lidhet automatikisht me dështimin, pamundësinë për të ecur para dhe vetëvlerësimin e ulët. Kështu, shumë vajza dhe gra heqin dorë nga feminiteti i tyre. Antigona, vajza e Edipit; Elketra, bija e Agamemnonit dhe Klitemnestrës; Athinaja, e bija e Zeusit janë disa prej shembëlltyrave mitologjike që tregojnë se vajzat që marrin pjesë në veprimtari që konsiderohen tipike mashkullore, nuk do të pranojnë feminitetin e tyre. Nëse një grua zhvillohet në mënyrë të tillë që ta quajë veten burrë, kjo do të thotë se nuk është e kënaqur me të qenit grua, pasi kjo nënkupton inferioritet, heqjen dorë nga pavarësia, si dhe mohimin e vetes.

Për një sërë arsyesh, psikologjike dhe kulturore, femrat vazhdojnë që t’u vënë kufij mundësive të tyre. Për vite me radhë, duke vazhuar dhe sot feminiteti është shoqëruar dhe madje njehsuar me varësinë. Për këtë arsye, shumë femra duan të çlirohen nga “fati i tyre biologjik”, i cili mesa duket i dënon që të jenë vetëm nënë dhe grua dhe të investojnë energjitë e tyre në punë dhe në karrierë. Por është një pakicë shumë e vogël vajzash që e bëjnë një gjë të tillë, e cila edhe pse është një revoltë ndaj ngurtësisë normore mashkullore, është një rrugë e zgjedhur e dëmshme. Nevoja për pavarësi, që përjetohet ne nivelin personal, psikologjik, dëshira e thellë që të tjerët të përkujdesen për ne janë elementë që i bllokojnë gratë. E gjithë kjo situatë përkufizohet me termin “Kompleksi i Hirushes”, një tërësi qëndrimesh dhe frikërash që nuk i lejojnë femrat të përdorin plotësisht potencialin e tyre dhe krijueshmërinë. Ashtu si Hirushja, gratë e ditëve të sotme janë ende në pritje që diçka e ardhur nga jashtë të shndërrojë për mirë jetesën e tyre.

Media, rrjetet sociale, filmat, Disney luajnë një rol të rëndësishëm në përçimin dhe ruajtjen e stereotipeve, paragjykimeve apo roleve tradicionale. Kështu nëpër filma, femrat kryesisht kanë role dytësore dhe nuk janë personazhe kryesorë. Nëpër përralla, vajzat janë ose princesha të nënshtruara ose shtriga të këqija. Kështu, sirena e vogël Ariel, preferon të heqë dorë përgjithonë nga e folura, si çmim për djalin që dashuron. Edhe në rastet kur femrat janë heroina, përsëri vihen në përballje me rolin e tyre. Kështu princesha indiane, Pocahontas, duhet të zgjedhë midis suksesit në sferën publike dhe një jete të lumtur romantike. Pse, nuk mund të realizohen të dyja? Sigurisht që po. Kështu, Larissa Walters u bë e famshme për fjalimin që mbajti në parlamentin australian, ndërkohë që ushqente me gji foshnjën e saj. Dhe ia doli që t’i bënte që të dyja shumë mirë. Mësimet nëpër përralla apo filma vizatimorë, nuk anashkalohen nga fëmijët, ku haptazi del në pah se superheronjtë kryesisht janë djem. Kjo e bën më të vështirë modelimin e udhëheqjes për gratë e reja. Ndryshe nga superheronjtë djem, të cilët përdorin dhuratat e tyre të jashtëzakonshme për të bërë të mira për shoqërinë, princeshat vajza priren të përqendrohen në çështjet private dhe jo në sferën shoqërore. Heqja dorë nga tiparet femërore vihet re edhe te princesha Mulan. Ajo shfaqet e guximshme, e respektuar dhe ndiqet nga populli i saj. Vetëm se të tjerët mendojnë se ajo është burrë. Ketë truk ajo e ka arritur duke prerë flokët, duke përcjellë mesazhin se një udhëheqëse e mirë grua, duhet të veprojë si burrë…

Në kundërshtim të këtij pohimi të pabazë ka mjaft figura të njohura që shfaqen si lidere të vërteta, pa qenë e nevojshme të heqin dorë nga roli i tyre. Princesha Diana, njihet në mbarë botën si gruaja që i dha kuptim tjetër fjalës “princeshë”, duke luftuar për kauza në botë dhe duke sjellë revolucione edhe në vetë familjen mbretërore. Ajo nuk hoqi dorë nga roli i saj i nënës dhe mbeti një ikonë e fuqishme e modës. Hillary Clinton, Michelle Obama, Angela Merkel janë vetëm tri nga femrat që kanë treguar se gjinia nuk përcakton fatin në jetë.

Si përfundim, është e rëndësishme dhe e domosdoshme për ecurinë e një shoqërie dhe për shëndetin psikologjik të çdo individi që të hiqet dorë nga paragjykimet gjinore. Gratë nuk mund të gjykohen më nga punët e shtëpisë, nga gjatësia e fundit që mbajnë apo sa mirë apo keq mund të rrisin fëmijët. Gratë janë më të ndjeshme, më emocionale dhe në këto kohë të vështira njërëzit kanë më shumë nevojë për një zemër! Po, po, njerëzimi ka nevojë për gruan! Dhe kur thua grua, automatikisht te kushdo vjen imazhi i nënës, motrës, vajzës. Cilado qoftë fusha e zgjedhur: modë, humanizëm, shkencë, aktivizëm, politikë, muzikë, gratë lënë shenjën e tyre. Forca e një gruaje nuk matet nga ndikimi, që kanë lënë vështirësitë në jetën e saj, por fuqia e një gruaje matet me refuzimin që këto vështirësi të diktojnë jetën dhe atë që ajo do të bëhet.

Ka shumë gra në botë që nuk njihen për bujarinë dhe punën e tyre. Sot u duhet thënë faleminderit të gjitha atyre që përpiqen drejt ndryshimeve. Ne nuk duhet të kemi frikë t’u themi “Po” grave që të rriten. Ne jemi ende themeli, që qëndrojmë në provën e kohës, se PO Gratë ia dalin! (Revista Psikologji)

*** Autorja është pikologe klinike

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme