Pse notat e fëmijëve nuk përcaktojnë suksesin dhe aftësinë e tyre – shkrim nga psikologia Garuli

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 23:45 | Nga Ekonomia Online

Procesi i vlerësimit është ndër hapat përfundimtarë dhe vendimtarë të mësimdhënies dhe mësimnxënies; provimet, testimet, të pyeturit me gojë, korrigjimi i detyrave dhe format e tjera të vlerësimit të performancës dhe ecurisë së nxënësve janë në njëfarë mënyrë përmbyllje e të nxënit. Megjithatë, ekzistojnë debate të shumta përsa i përket rolit të shkollës dhe mësuesve mbi këtë çështje, por dhe mënyrës së vlerësimit. Sa janë të vlefshme realisht notat? Sa duhen marrë si referenca dhe mbi të gjitha; a janë ato matëse objektivisht të drejta të nivelit të njohurive dhe aftësive të nxënësve?

Disavantazhi kryesor i një sistemi arsimor të bazuar mbi notat, si vlera të shprehura në numra apo përqindje, është se mund të rrezikojë ta fusë nxënësin në një “kurth” në të cilin përpjekjet për të marrë nota të larta do të kthehen në qëllime në vetvete. Nëse do të merret për i mirëqenë fakti se, shkolla duhet të edukojë më shumë sesa të arsimojë, atëherë mund të mendohet se vlerësimi me anë të notave që në moshë të hershme nuk i shërben këtij qëllimi. Notat e ulëta mund të kthehen në pengesa për nxënësit duke krijuar stereotipa të gabuar për ta, duke u kthyer në “gracka” nga të cilat nxënësit nuk do të dalin dot.

Ajo që ndodh shpeshherë për hir të së vërtetës, është se dhe vetë mësuesit i pozicionojnë nxënësit mbi bazën e notave që ata marrin dhe i kategorizojnë mbështetur tek ky sistem vlerësimi. Në këtë mënyrë, duke i gjykuar dhe konsideruar nxënësit ashtu siç paraqiten që në fillim të shkollës dhe duke rënë pre e këtyre opinioneve fillestare; nota të caktuara mund të kthehen në vështirësi si për vetëkonceptin e nxënësit, i cili do të ngecë në gjykime negative të pavërteta për veten, por në të njëjtën kohë do të paraqesin barriera për të kaluar nga nxënës “të këqij” në nxënës “të mirë”.

Duke qenë se nota pra është një sistem vlerësimi jo absolutisht objektiv, sidomos në testet dhe provimet që përmbajnë pyetje të hapura, ajo duhet marrë me rezervë. E rëndësishme është që të vlerësohet rrugëtimi që bën nxënësi, më shumë sesa performanca në një çast të caktuar. Një nxënës që vlerësohet me nota të larta mund të jetë më sistematik, mund të vijë nga një familje që i kushton rëndësi dhe vëmendje të veçantë këtij kriteri, apo e sheh notën e lartë si të barasvlershme me zgjuarsinë dhe aftësinë. Në të kundërt, një nxënës i cili nuk e ka këtë qëllim në vetvete dhe nuk synon të jetë ambicioz në këto vlerësime, nuk do të thotë që është me pak i aftë. Përmbledhtazi, është thelbësore pra që rezultatet shkollore dhe konkretisht nota të mos penalizojë nxënësit dhe të kthehet në pengesë e të krijojë pamundësira.

Në vazhdim të logjikës së mësipërme mbi rolin që ka sistemi i vlerësimit dhe nota tek nxënësit, një arsye tjetër se pse duhet patur shumë kujdes kur bëhen vlerësimet dhe shprehen përshtypjet, qortimet apo lavdërimet, është se të gjitha këto vlerësime kanë një ndikim direkt dhe afatgjatë mbi vetëkonceptin, vetëvlerësimin dhe vetëbesimin e fëmijës (Milsom & Glanville, 2010).

Ajo çfarë të tjerët mendojnë për ne ndikon në formimin e mendimit që kemi për veten; sidomos kur ky mendim vjen nga individë të rëndësishëm dhe shumë të pranishëm në jetën e fëmijës, siç janë mësuesit. Kjo do të thotë se mësuesit duhet të jenë të vetëdijshëm mbi këtë ndikim që kanë tek fëmijët dhe mbi të gjitha tek mënyra sesi atribuojnë dështimet dhe sukseset e nxënësve të tyre, sepse mbi bazën e këtij sistemi atribuimesh që ata shfaqin, fëmijët do të vlerësojnë më vonë dhe veten e tyre. Mësuesi do ta motivojë më shumë nxënësin nëse, kur jep vlerësimet e veta, do t’i kushtojë vëmendje dhe do ta vendosë fokusin tek impenjimi dhe angazhimi, e jo tek rastësia. Shprehje të tipit “Pate shans se teza jote ishte e lehtë”, “Këtë herë dole mirë sepse testi nuk ishte i vështirë”, “Kjo lëndë nuk është pika jote e fortë, gjithmonë ke të njëjtin rezultat”, janë thellësisht të gabuara dhe e orientojnë nxënësin në një drejtim të gabuar. Në të kundërt me këtë përqasje, theksi duhet vënë tek aftësia si një shkak i brendshëm dhe i qëndrueshëm, por dhe tek angazhimi, si një shkak i kontrollueshëm dhe menaxhueshëm nga nxënësi.

Nëse vlerësimi i mësuesit kundrejt nxënësit do të përmbajë elementë atribuimi të jashtëm dhe rastësorë, rrezikohet që nxënësi të viktimizohet, të dembeloset dhe të tregohet pasiv. Ajo që mund të ndodhë është që një nxënës me një historik të vazhdueshëm dështimesh shkollore që merr përherë një feedback negativ nga mësuesi, do të manifestojë një model paaftësie dhe mungese vlerësimi për veten. Për këtë arsye, është kaq e rëndësishme që një notë e ulët dhe një vlerësim jo pozitiv t’i paraqiten nxënësit si mundësi për t’u rritur dhe përmirësuar; ku nxënësi të mund të kuptojë gabimet që t’i korrigjojë dhe jo të ndihet i bllokuar në dështime të vazhdueshme në mënyrë të përsëritur. Duke u vlerësuar në rastet e situatat kur kanë rezultate pozitive, kur përpiqen, ata njëkohësisht nxiten dhe të ndërmarrin detyra më të vështira hap pas hapi dhe të kuptojnë se zgjidhja e sfidave shkollore nuk është e pamundur dhe e paarritshme për ta.

*Nga Lorela Garuli, psikologe klinike, pedagoge

Të ngjashme