Ish i dërguari i Bashkimit Europian për Kosovën, Wolfgang Petrich, ka komentuar refuzimin e ftesës për një takim në Bruksel nga ana e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka deklaruar se nuk i përgjigjet pozitivisht një ftese të emisarit Miroslav Lajçak që ka të bëjë me diskutimin mbi vendimin për dinarin.
Petrich ka thënë se “Brukseli duhet të veprojë me vendosmëri, sepse refuzimi i bisedimeve është sjellje e papranueshme”.
“Qëndrimi im ndaj asaj mase, e cila më befasoi, është kritik. Besoj se çdo çështje e tillë, pavarësisht se sa legjitime politikisht apo jo, duhet të diskutohet”.
Petrich ka theksuar se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje me ata që preken nga kjo masë.
“Kur dëgjova për këtë masë, thashë se nuk ishte një vendim i mençur politik i kryeministrit Albin Kurti, sepse besoj se vetëm rrit tensionet. Krijimi i pakuptimtë i një situate që rrit tensionet është diçka që duhet refuzuar”.
Ai theksoi se tani duhet gjetur një zgjidhje tranzitore dhe “një rrugë kompromisi”.
“Para së gjithash, është e nevojshme të shikohet përfitimi dhe dëmi i të prekurve. Kjo është gjëja kryesore për t’u marrë në të ardhmen e afërt,” tha Petrich.
Ai kujton gjithashtu se ky është një vit elektoral dhe se në rrethana të tilla shpesh politika “teston kufijtë, deri ku mund të shkohet pa pasoja”.
“Kjo ka qenë padyshim mendimi në Prishtinë, duke pasur parasysh se në qershor do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe më pas do të themelohet Komisioni i ri Europian. Kjo e ka vënë Prishtinën në pozitë të vështirë, sepse nuk është plotësisht efektive. Natyrisht, është ende Miroslav Lajçak, Josep Borell, ka një administratë europiane që merret me atë çështje, por pesha politike është në rënie. Për sa kohë që po zhvillohet fushata zgjedhore, nuk ka Komision të ri Europian, nuk ka është vendosur nëse Lajçak do të vazhdojë misionin, kush do të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së… Këto janë të gjitha çështje që do të zgjidhen gjatë disa muajve, prandaj jam pesimist se do të ketë një zgjidhje të mirë para zgjedhjeve”, tha Petrich.
I pyetur nëse është e mundur të ketë një tjetër rund të dialogut të nivelit të lartë para zgjedhjeve europiane, ai u përgjigj se “është spekulative nëse dialogu në fazën para zgjedhjeve është i leverdishëm apo nëse të dyja palët presin zgjedhjet për zgjedhjet europiane”.
Të mërkurën zëvendëskryeministri Bislimi tha se ndërmjetësi europiani ka dërguar atij një ftesë për takim javën e ardhshme lidhur me çështjen që ka të bëjë me dinarin.
“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, tha Bislimi.
Bislimi tha se Lajçak me dërgimin e kësaj ftese ka shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas Bislimit, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim parapak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”.
Për këtë ka reaguar Bashkimi Europian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të enjten tha se sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të BE-së është e papranueshme.
“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Stano.“Kosovo Online”