​Ish-lojtari i klubit të Premierligës e shiti një veturë që s’ishte e tij, dënohet me 15 muaj burg

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Pasi ia shiti një gruaje një veturë e cila nuk ishte e tij, ish-mbrojtësit të West Ham Unitedit, Tomas Repkës, i është shqiptuar dënimi prej 15 muajve burg.
Repka luajti në Sparta Prague, ku ai i kaloi dy sezone dhe i bëri mbi 200 paraqitje. Gjatë kohës sa ishte lojtar i këtij klubi, ai e shiti një veturë luksoze që nuk ishte e tij.

Ish-futbollisti i ekipin kombëtar të Republikës Çeke dhe Fiorentinës kishte qenë duke e huazuar veturën në atë kohë, nga një kompani private.

Në marrëveshjen të cilën e nënshkroi, ai premtoi se do t’ia kthejë paratë gruas nëse pronësia e veturës nuk i kalon gruas me të cilën e arriti marrëveshjen. Mirëpo, ai nuk e mbajti këtë premtim.

Vendimi i Gjykatës së Pragës nuk është final pasi që avokatët e Repkës dhe prokurorët shtetërorë e kundërshtuan këtë vendim menjëherë.

Kjo nuk është hera e parë që Repka ka qenë në telashe. Vitin e kaluar, ai u dënua me gjashtë muaj pasi që kishte ofruar shërbime seksuale në emër të ish-bashkëshortes së tij.

Ky dënim më vonë u ndryshua në orë të detyruara shërbimi ndaj komunitetit. Gjithashtu, ai është arrestuar dy herë pasi ishte zënë duke vozitur nën ndikimin e alkoolit.

Të ngjashme