​Ish-mesfushori i Chelseat dhe Liverpoolit e mahnit publikun në garën për vallëzim e këndim

Prishtinë | 15 Jan 2019 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Pasi i dha fund karrierës së tij si futbollist profesionist para dy viteve, ish-mesfushori i Chelseat dhe Liverpoolit, Raul Meireles ka qenë duke e kaluar kohën e tij duke hapur dyqane rrobash në Portugali, së bashku me bashkëshorten e tij.

Megjithatë, 35-vjeçari u kthye në sferën publike këtë fundjavë, me një paraqitje befasuese në një televizion portugez. Ai e bëri një performancë dramatike në këtë televizion, duke i sinkronizuar buzët dhe duke vallëzuar sipas ritmeve të një kënge.

Meireles e mahniti publikun me një version të këngës së famshme të viteve 1980, të kënduar këngëtari portugez, Antonio Variacoes. Ish-mesfushori vendosi të vallëzojë dhe këndojë nën ritmet e këngës “O Corpo E Que Paga” (Trupi paguan).

Pas kësaj paraqitjeje, portugezi i falënderoi të gjithë njerëzit e përfshirë në atë program që ia dhanë këtë mundësi, duke e përshkruar këtë përvojë si njërën ndër më të veçantat në jetën e tij.

“Kjo ishte një përvojë unike, një sfidë me të vërtetë shumë e vështirë, një ndjenjë e re dhe mbi të gjitha kam një krenari të veçantë që e pata mundësinë të bëj diçka që me të vërtetë mendoja se nuk do të mund ta bëja”, ka thënë Meireles.

Meireles kishte luajtur në Premierligë vetëm për dy sezone. Fillimisht, në vitin 2010, ai ishte transferua nga Porto në Liverpool, ku i kishte bërë 35 paraqitje dhe i kishte shënuar pesë gola. Sezonin tjetër ai luajti për Chelsean, ku i bëri 31 paraqitje dhe i shënoi dy gola.

Pasi në asnjërën nga këto dy klube angleze nuk arriti të fitojë mjaftueshëm besim nga ana e trajnerëve, sezoni i ardhshëm e gjeti atë në Turqi, ku luajti për tri sezone për Fenerbahçen, ku edhe u pensionua.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme