​Klopp: Liverpooli do të ketë edhe mundësi të tjera për ta fituar Premierligën

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Jurgen Klopp u ka kthyer përgjigje kritikëve të Liverpoolit dhe ka thënë se kjo nuk do të jetë mundësia e fundit e skuadrës së tij për ta fituar titullin e Premierligës.

Liverpooli nuk ka qenë në formën më të mirë të mundshme gjatë kohës së fundit dhe tani mbetet vetëm një pikë para Manchester Cityt, pas tri barazimeve në katër ndeshjet e fundit në Premierligë.

“The Reds” nuk e kanë fituar titullin e ligës që nga viti 1990 dhe kjo ka bërë që të ketë edhe më shumë presion mbi klubin, për shkak të formës së keqe që ka shfaqur skuadra e Kloppit në ndeshjet e këtij muaji.

Por, para ndeshjes kundër Watfordit, e cila do të zhvillohet sonte, trajneri Klopp ia ka rikujtuar kritikëve të skuadrës së tij, se Liverpooli do të ketë edhe mundësi të tjera për ta fituar titullin e Premierligës.

“Kjo nuk është mundësia jonë e fundit, kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Kjo është vetëm mundësia jonë e parë. Ka një dallim të madh këtu”, ka thënë strategu gjerman në një konferencë për shtyp.

“A është me të vërtetë ky i vetmi rast për t’u bërë kampionë? Nuk jam i sigurt për këtë. Me mundësinë e parë, t’i mundohesh dhe në fund e sheh nëse tentimet e tua kanë qenë të suksesshme”.

“Nganjëherë janë të suksesshme e nganjëherë jo. Ky nuk do të jetë rasti ynë i fundit, jam 100 për qind i sigurt se nuk do të jetë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme