​“Lukaku është si Xavi e Iniesta”

Prishtinë | 01 Mar 2019 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, thotë se paraqitja e Romelu Lukaku në ndeshjen kundër Liverpoolit ia kujtoi atij Xavi Hernandezin dhe Andres Iniestan. Berbatov beson se belgu është po i gjithanshëm sepse mund të luajë edhe në krahë, edhe në qendër të sulmit.

Sulmuesi belg e ka fituar reputacionin e një qendërsulmuesi, për shkak të fizikut të tij dhe aftësisë për të shënuar gola. Ai është golashënuesi më i mirë në histori të ekipit kombëtar të Belgjikës.

Megjithatë, për shkak që trajneri i ri në detyrë, Ole Gunnar Solskjaer, ia ka besuar pozitën e qendërsulmuesit Marcus Rashfordit, 25-vjeçari është detyruar ta ndryshojë stilin e tij të lojës, duke luajtur në krahun e djathtë.

“Mua më pëlqen Romelu Lukaku dhe mendoj se ai e ka fituar vendin në formacionin e parë. Ai ka punuar shumë për ta arritur këtë gjë. Dy golat që i shënoi kundër Crystal Palace , vrapimet që i bëri, pasioni në paraqitjen e tij më treguan se ai duhet ta ketë një vend në ekip”, ka thënë Berbatov.

“Dua ta shohë atë titullar kundër Southamptonit sepse e ka fituar këtë vend. Mos gaboni të mendoni se ai duhet të luajë patjetër në qendër. Lukaku është i aftë të përfitojë nga hapësirat në sulm shumë mirë, edhe kur luan nga krahu i djathtë dhe i majtë”.

“Pasimi që Lukaku e bëri për Jesse Lingardin, kundër Liverpoolit… nuk ka shumë futbollistë që mund të bëjnë pasime të tilla. Ishte sikur ta shikoje Xavin apo Iniestan! Lukaku nuk është aq njëdimensional sa njerëzit mendojnë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme