​Messi ishte buzë kalimit në Espanyol – e zbulon Pochettino

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Mënyra se si Mauricio Pochettino e tregon, Lionel Messi ishte shumë afër për t’u bërë bashkëlojtari i tij në Espanyol, dhe kush e di se si mund të kishte qenë e ardhmja? Në verën e vitit 2005, Pochettino ishte lojtar në Espanyol, si dhe u bë trajner i klubit në vitin 2009. Për shkak të problemeve që Messi i kishte në Barcelonë, ai ishte afër transferimit në Espanyol.

Megjithatë, gjërat nuk rrjedhën ashtu, edhe pse propozimi i Espanyol ishte për ta marrë Messin në huazim për një sezon. Barcelona ishte në dijeni për talentin që e kishte argjentinasi dhe i ofroi kontratë të re deri në vitin 2010, transmeton Gazeta Express.

Verën e vitit 2005, Messi nuk lejohej nga Federata e Futbollit të Spanjës të luante për Barcelonën, pasi që klubi katalonas tashmë i kishte tre lojtarë të huaj, që ishte maksimumi i lejuar. Drejtuesit e klubit pretendonin se Messi ishte lojtar i përvetësuar pasi që kishte ardhur në Barcelonë si 13-vjeçar në vitin 2001.

“E mbaj mend atë verë, ai ishte shumë afër transferimit në Espanyol. Nëse do ta kishte bërë, ndoshta ai do të kishte qenë ylli më i madh në Espanyol. Ne do të ishim si Barcelona. Ai do të kishte qenë bashkëlojtari im dhe ndoshta unë do të isha ende trajner i Espanyolit”, ka thënë trajneri i Tottenhamit në konferencën për media para ndeshjen kundër Barcelonës, e cila do të zhvillohet nesër në Wembley.

“Fillova të dëgjoj për të kur isha në Espanyol, një djalosh i vogël që po luan për akademinë e Barcelonës. Ai u transferua në moshën 13-vjeçare, duke shkuar nga Argjentina në Barcelonë. Pastaj dëgjova se ishte afër transferimit në Espanyol”.

“Nëse shikoni prapa, nëse ai nuk do të kishte luajtur në Joan Garmper Cup atë verë, ndoshta tani ai do të ishte ylli më i madh i Espanyolit dhe Espanyoli do të ishte Barcelona e sotme”.

Në vitin 2005, Barcelona ishte ndeshur me Juventusin për Joan Gamper Cup. Trajneri i Juventusit, Fabio Capello, e kishte lavdëruar Messin në konferencën për shtyp pas ndeshjes dhe këto lëvdata kishin bërë që Barcelona të insistonin për ta mbajtur Messin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme