​Messi: Krenar që i arrita 400 gola, por më me rëndësi ta fitojmë La Ligën

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, i lavdëroi bashkëlojtarët dhe ish-bashkëlojtarët e tij që i ndihmuan ta arrijë rekordin prej 400 golave të shënuar në La Liga, rekord ky që e arriti gjatë ndeshjes të se dielës kundër Eibarit.

Messi, përmes golit të shënuar në ndeshjen kundër Eibarit, u bë lojtari i parë në histori të La Ligës që arrin t’i shënojë 400 gola gjatë karrierës së tij. Argjentinasi e kishte thyer rekordin për më së shumti gola në këtë ligë para disa kohëve.

Përkundër që Messi u radhit vetëm në pozitën e pestë në garën për Topin e Artë këtë vit, me të cilin u shpërblye Luka Modrici, shumë persona mendojnë se argjentinasi mbetet lojtari më i mirë në futboll.

Statistikat e Messit këtë sezon e mbështesin këtë pretendim të tifozëve të Messit, pasi që ylli argjentinas ka arritur t’i shënojë 17 gola dhe t’i bëjë 11 asiste në vetëm 17 paraqitje në La Liga këtë sezon.

Për më tepër, Messi e ka ndihmuar klubin e tij edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, përkundër që mungoi në dy ndeshje për shkak të një lëndimi. Argjentinasi i ka shënuar gjashtë gola dhe e ka bërë një asist ne vetëm katër ndeshje të kësaj gare.

Këtë sezon, argjentinasi ka mesataren më të mirë në karrierën e tij sa i përket ndikimit në lojë brenda 90 minutave, përmes asisteve dhe golave të shënuara, duke i përjashtuar këtu golat e shënuara nga pika e penalltisë.

“Jam krenar që i kam arritur 400 gola dhe shpresoj se do të mund t’i shënoj edhe shumë të tjera. Nuk përqendrohem shumë në rekordet dhe numrat, preferoj të përqendrohem në jetën e përditshme”, ka thënë Messi.

“Më shumë sesa për golat e shënuara, e mendoj çdo ndeshje si një sfidë nga e cila duhet të dalim me tri pikë dhe të luftojmë për La Ligës, garën që e shpërblen ekipin më të mirë në vazhdimësi”.

“Unë tentoj t’i ndihmoj ekipit, jo vetëm përmes golave, mirëpo edhe me asiste dhe duke ndihmuar në mënyra të veçanta. Është e qartë se pa ndihmën e kolegëve të mi, ata që i kam tani dhe ata që i kam pasur, do të kishte qenë e pamundur t’i arrija 400 gola”.

“Goli im më i veçantë? I pari kundër Albacetes pas një pasimi nga Ronaldinho. Nuk do ta harroj kurrë. Golat e shënuar në El Clasico janë gjithmonë të veçanta dhe kundër rivalëve të mëdhenj, që zakonisht janë Atletico Madridi, Valencia dhe Sevilla”.

“Gjithashtu, edhe golat që kam pasur fatin t’i shënoj para tifozëve në Camp Nou. Në Camp Nou, ata janë gjithmonë shumë të mirë me mua. Në fund të fundit, golat më të rëndësishme nuk janë më spektakolaret, mirëpo ato i ndihmojnë skuadrës më së shumti”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme