​Pas vdekjes së Emiliano Salas, Cardiffi dhe agjenti McKay i nisin akuzat

Prishtinë | 19 Shk 2019 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Agjenti Willie McKay ka bërë të ditur se ai i kishte paguar gjashtë udhëtime me aeroplan për drejtuesit e Cardiff Cityt, gjatë kohës se bisedimeve për transferimin e Emiliano Salas nga Nantesi. Në fund, marrëveshja u arrit për 17 milionë euro.

Dosjet e dokumenteve të McKay dëshmojnë se ai i kishte paguar dy udhëtime për trajnerin Neil Warnock, i cili kishte shkuar në Nantes për ta parë Salan, si dhe një herë për ndihmëstrajnerin Kevin Blackwell.

Ai kishte paguar dy herë për udhëtimet e Salas dhe për agjentin e këtij të fundit, Meissa N’Diaye – një herë për ta vizituar klubin dhe një herë për ta nënshkruar kontratën me klubin. Këto udhëtime parimisht ishte dashur t’i organizonte Cardiffi, mirëpo ato i kishte organizuar McKay.

Në mëngjesin kur Sala e nënshkroi kontratën e re, sekretari i përgjithshëm i Cardiff Cityt e kishte pyetur McKayin nëse ai e kishte organizuar udhëtimin për Salan.

Megjithatë, këtë përfshirje të McKay, Cardiffi po tenton ta shfrytëzojë për të mos ia paguar Nantesit shumën e plotë të transferimit të Salas. Klubi anglez pretendon se McKay kishte përhapur lajme të rreme se për Salan ishin të interesuar edhe klube të tjera.

Cardiffi e shikon McKay si agjent të Nantes, klub ky që po ia kërkon 17 milionë eurot Cardiffit, duke u bazuar në kontratën e nënshkruar. Mirëpo, McKay thotë se Cardiffi varej nga ai pasi që nuk kishin aspak përvojë në transferimin e lojtarëve të huaj.

McKay nuk i pranon as pretendimet e Cardiffit se ai e kishte ngritur çmimin e shitjes së Salas përmes lajmeve të shpërndara në gazeta, duke shtuar se kjo është një praktike që përdoret shpeshherë në biznesin e transferimit të lojtarëve.

Ai ka insistuar se nuk e di kush është pronar i aeroplanit me të cilin po udhëtonte Sala dhe shton se ai nuk ishte as i tij, e as i ndonjë kompanie të lidhur me të. McKay pretendon se edhe piloti kishte pasur licencë për të udhëtuar me pasagjerë, përkundër lajmeve që David Ibbotson nuk e kishte poseduar një licencë të tillë.

Piper Malibu, lloji i aeroplanit të fundosur në det, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, përderisa me të po udhëtonte Sala dhe piloti David Ibbotson. Policia Guernsey i kishte ndalur kërkimet tri ditë më vonë, më 24 janar, pasi që nuk kishin gjetur asgjë gjatë kërkimeve.

Më vonë kishte filluar një kërkim privat, i cili u mbështet nga donacionet private. Departamenti për Hetimet e Aksidenteve Ajrore kishte thënë se një trup kishte qenë i dukshëm në rrënojat e aeroplanit, i cili ishte në fund të detit afër ishullit Guernsey.

Pas disa përpjekjeve, trupi u nxjerr me sukses nga ato rrënoja dhe, më 7 shkurt, u konfirmua se është i lojtarit që sapo ishte transferuar në Premierligë te Cardiff City, Emiliano Salas, për 17 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme