​Trajneri i Italisë: Ronaldo s’po performon më në të njëjtin nivel

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i ekipit kombëtar të Italisë, Roberto Mancini, beson se Cristiano Ronaldo nuk është duke performuar më të njëjtin nivelin si më parë, në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, Mancini beson se portugezi do të tregohet shumë i suksesshëm me klubin e tij të ri.

Gjiganti italian është duke e dominuar futbollin vendor në Itali edhe këtë sezon, pasi që i kanë kaluar 25 xhirot e Serisë A pa asnjë disfatë dhe janë afër për ta fituar titullin e tetë radhazi.

Ronaldo ka qenë njëri ndër më të rëndësishmit në këtë sukses të “Zonjës së Vjetër” këtë sezon, duke i shënuar 21 gola në sezonin e tij të parë në Itali, por vetëm një nga këto gola ka qenë në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Juventusi kishte shpresuar se Ronaldo, i cili e ka fituar pesë herë titullin e Ligës së Kampionëve, do t’u ndihmonte atyre për të triumfuar në këtë garë prestigjioze të Evropës në vitin 2019, mirëpo portugezi nuk ka arritur ta bëjë këtë gjë deri më tani.

“Juventus – Atletico? Ata e dinë se do të jetë një ndeshje e vështirë. Nuk ka asnjë formulë magjike për ta përmbysur rezultatin, por Juventusi është një skuadër me përvojë dhe ata e kthyen rezultat nga 3:0 kundër Real Madridit, sezonin e kaluar”, ka thënë Mancini.

“Ndoshta Ronaldo nuk është duke performuar në të njëjtin nivel në Ligën e Kampionëve, si në të kaluarën, por ai gjithmonë ka arritur gjëra të rëndësishme. Ai është duke bërë punë shumë të mirë në Seri A”.

“Mendoj se në nivelin e tij, është e vështirë gjithkund. Liga në Itali është po aq e vështirë sa në Angli dhe më pak e vështirë është në Spanjë, por, për mua, ai është duke e pasur një sezon të mirë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme