​Van der Vaart: Messi vjen nga një botë tjetër, ai është i pandalshëm

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Ish-sulmuesi i Real Madridit, Rafael van der Vaart, e ka lavdëruar yllin e Barcelonës, Lionel Messin, duke thënë se argjentinasi është i pandalshëm dhe se ai vjen nga një botë tjetër.

Messi, 31-vjeçar, është duke e shijuar edhe një tjetër sezon të mrekullueshëm. Ai arriti ta shënojë het-trikun e 50-të të karrierës së tij, në ndeshjen kundër Sevillas, dhe këtë sezon i ka shënuar 33 gola në 32 ndeshje.

Para ndeshjes kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, kundër Real Madridit, Van der Vaart e lavdëroi argjentinasin për cilësitë e tij, të cilat, sipas holandezit, e bëjnë yllin e Barcelonës të pandalshëm.

“Ai është jashtëtokësor. E pashë atë ditë kundër Sevillas. Është e pamundur ta ndalësh atë. Mendoj kështu sepse ai shfaqet gjithkund, vrapon me topin, por për shkak të shpejtësisë dhe teknikës së tij, nuk mund ta ndalësh atë”, ka thënë Van der Vaart.

Dy skuadrat janë duke u përgatitur për ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, e cila zhvillohet sonte, në “Santiago Bernabeu”. Ndeshja e parë, në “Camp Nou”, përfundoi me rezultat 1:1.

Real Madridi i ka fituar tetë nga dhjetë ndeshjet e fundit të zhvilluara dhe duket se madrilenët kanë filluar të ringjallen pas krizës në të cilin ishin në fillim të sezonit, pas largimit të Cristiano Ronaldos dhe Zinedine Zidane.

Dhe përderisa Messi e ka drejtuar Barcelonën në kreun e La Ligës këtë sezon, katalonasit i kanë barazuar katër dhe e kanë humbur një nga dhjetë ndeshjet e fundit të zhvilluara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme