​Zbulohet arsyeja pse Fury u tërhoq nga rimeçi me Wilderin

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Promoteri i Tyson Furyt, Frank Warren, ka insistuar se fajet për dështimin e rimeçit me Deontay Wilderin i ka ESPN. Warren ka lënë të kuptohet se rimeçi mund të mos zhvillohet fare këtë vit.

Negociatat mes dy palëve kishin vazhduar për tre muaj, pas meçit të tyre në dhjetor, që kishte përfunduar baras. Por, Fury ka vendosur të tërhiqet nga ky rimeç, duke e informuar ËBC-në se ai do të zhvillojë një meç tjetër, para se të ndeshet me Wilderin.

Ky lajm vjen pasi u bë e ditur se britaniku kishte nënshkruar kontratë, në vlerë prej 90 milionë eurove, me promotorin amerikan Top Rank. Sipas kësaj marrëveshjeje, meçet e Furyt do të transmetohen në ESPN.

Kjo marrëveshje menjëherë hodhi dyshime mbi mundësinë e zhvillimit të rimeçit me Wilderin, i cili ka kontratë me Showtime. Por, të dy palët kishin insistuar se meçi do të zhvillohet më 18 maj.

“Nuk është faji ynë. ESPN dhe Top Rank donin t’ia jepnin një meç tjetër Tysonit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pastaj ai do ta zhvillojë rimeçin me Wilderin. Nuk dihet por do të tentojmë ta organizojmë rimeçin në shtator apo tetor”, ka thënë Warren.

Është ende e paqartë se kush do të jetë kundërshtari i radhës për Furyn, mirëpo Wilderi duket se do ta mbrojë titullin e tij kundër Dominic Breazeale, ndërsa Dillian Whyte mbetet si opsion i dytë për amerikanin.

Wilderi e kishte shfrytëzuar llogarinë e tij në Twitter, mbrëmë, për ta shprehur zemërimin për dështimin e negociatave për zhvillimin e rimeçit me Furyn, duke e komentuar një deklaratë të mëparshme të anglezit, i cili kishte thënë se do ta zhvillonte rimeçin.

“Ti gomar i keq. E dimë se e ke thënë këtë vetëm sepse e dije që nuk do të ndeshesh me mua. Ti ke kërkuar ta bësh një meç për t’u nxehur së pari. Nuk të fajësoj, ndoshta edhe unë do ta bëja këtë nëse do ta kisha parë trurin tim të shpërndarë nëpër tokë”, shkroi Wilder.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme