15 ditë burgim për njërin tifoz që u fut në fushë

Prishtinë | 17 Kor 2018 | 14:34 | Nga

Një gjykatë në Moskë të hënën ka dhënë dënim me burgim prej 15 ditëve për njërin nga katër personat që u futën në fushë për të ndërprerë shkurtazi finalen e Kupës së Botës në futboll, të dielën, ndërmjet Francës e Kroacisë.

Ata u futën pasi kishin veshur uniforma fals të policisë. Për të tjerët vendimi do të merret më vonë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Gjykata po ashtu ia ndaloi Veronika Nikulshinas që të përcjellë ngjarje sportive në tre vjetët e ardhshëm.

Futja në fushë e anëtarëve të bendit “Pussy Riot”, është vlerësuar nga autoritetet ruse si një akt i pacipë i bërë në stadiumin “Luzhniki” në Moskë në prani të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Olga Kurachyova, një nga katër që u futën në fushë me uniforma të policisë, ka thënë se kjo manovër kishte për qëllim të promovojë lirinë e të folurit dhe të dënojë Federatën Botërore të Futbollit (FIFA).

Mbrojtësi kroat, Dejan Lovren, që e shtyri njërin nga personat anash fushës, u ka thënë gazetarëve se incidenti ka ndërprerë lojën në një moment të rëndësishëm për skuadrën e tij.

“Është mëkat që kemi penguar sportistët. FIFA është përfshirë në lojëra jo-fer për fat të keq. FIFA është mike e krerëve të shtetit që bëjnë shtypje dhe që shkelin të drejtat e njeriut”, ka thënë Kurachyova.

Ndeshja, që është shikuar nga Putin dhe nga presidentët e Francës e Kroacisë, u ndërpre shkurtazi herët në pjesë të dytë, por vazhdoi pas 25 sekondave.

Franca mposhti Kroacinë në finale me shifrat 4:2.

Të ngjashme